Pasiguria nëse një dozë medikamenti është marrë apo jo është një nga ato situata të heshtura që prekin mijëra njerëz çdo ditë. Nuk bëhet fjalë vetëm për harresë, por për mungesën e një konfirmimi të qartë, një moment i vogël që mund të ketë pasoja reale për shëndetin. Kjo është pikërisht pika ku ndërhyn SmartDose, startup-i i themeluar nga Alban Hasani, i cili synon të sjellë më shumë kontroll dhe besueshmëri në menaxhimin e terapisë.
Alban Hasani vjen me mbi 15 vite eksperiencë në teknologji dhe telematikë, ku ka punuar në zhvillimin e zgjidhjeve që monitorojnë dhe menaxhojnë të dhëna në kohë reale. Kjo eksperiencë, e ndërtuar në industri ku saktësia dhe siguria janë thelbësore, e ka ndihmuar të kuptojë se si teknologjia mund të reduktojë gabimet njerëzore dhe të krijojë procese më të besueshme. “Kjo eksperiencë më ka ndihmuar të kuptoj se si teknologjia mund të përdoret për të reduktuar gabimet njerëzore dhe për të krijuar sisteme më të sigurta dhe më të besueshme”, shprehet ai.
Ideja për SmartDose lindi nga një problem i thjeshtë, por shumë i përhapur. Shumë njerëz nuk harrojnë domosdoshmërisht të marrin medikamentet, por shpesh nuk janë të sigurt nëse e kanë marrë dozën apo jo. “Në shumë raste, njerëzit nuk harrojnë domosdoshmërisht medikamentin, por nuk janë të sigurt nëse e kanë marrë tashmë”, thotë Hasani, duke theksuar se kjo pasiguri çon në dy skenarë të rrezikshëm: marrjen e dyfishtë të dozës ose shmangien e saj për të mos rrezikuar.
Ndryshe nga shumica e zgjidhjeve në treg, të cilat fokusohen te kujtuesit, SmartDose vendos në qendër konfirmimin. Përmes një procesi të thjeshtë skanimi të shishes së medikamentit, përdoruesi mund të verifikojë në kohë reale nëse doza është marrë dhe kur duhet të merret ajo. “Problemi real nuk është vetëm të kujtohesh, por të konfirmosh me siguri”, shpjegon ai. Ky mekanizëm e kthen një veprim rutinë në një proces të kontrolluar, duke reduktuar ndjeshëm pasigurinë.
Qasja inovative e këtij startup-i qëndron pikërisht në këtë ndryshim perspektive. Në vend që të adresojë simptomën, pra harresën, ai adreson shkakun real: mungesën e konfirmimit. “SmartDose sjell një moment të thjeshtë konfirmimi në procesin e marrjes së medikamenteve”, thekson Hasani. Për më tepër, sistemi lejon që këto konfirmime të ndahen, me pëlqimin e përdoruesit, me familjarët apo kujdestarët, duke krijuar një shtresë shtesë sigurie për të moshuarit dhe pacientët kronikë.
Reagimet e para nga përdoruesit dhe partnerët kanë qenë inkurajuese. “Shumë njerëz identifikohen menjëherë me problemin”, tregon ai, duke shtuar se ideja e konfirmimit përmes skanimit sjell një ndjenjë sigurie dhe qartësie që mungon në zgjidhjet ekzistuese. Interesi nuk ka munguar as në arenën ndërkombëtare, ku SmartDose është prezantuar në evente të rëndësishme dhe ka tërhequr vëmendjen e aktorëve të industrisë.
Megjithatë, rrugëtimi nuk ka qenë pa sfida. Ndërtimi i një produkti që është njëkohësisht i thjeshtë për përdoruesin dhe i besueshëm në funksion kërkon një balancë të kujdesshme. “Në fushën e shëndetësisë, edhe një veprim i vogël duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe pa konfuzion”, shprehet Hasani. Një tjetër sfidë ka qenë pozicionimi në një treg të mbushur me zgjidhje që fokusohen te kujtuesit, duke kërkuar një punë të vazhdueshme për të edukuar përdoruesit dhe partnerët mbi rëndësinë e konfirmimit.
Aktualisht, fokusi i ekipit është zhvillimi i mëtejshëm i produktit dhe realizimi i pilotëve me përdorues realë në tregje të ndryshme. Qëllimi është validimi i përdorimit në praktikë dhe matja e ndikimit real në reduktimin e pasigurisë gjatë marrjes së medikamenteve. “Qëllimi ynë është të kthejmë një veprim të përditshëm në një proces më të sigurt, më të kontrolluar dhe më të besueshëm”, thekson ai.
Në një perspektivë më të gjerë, SmartDose synon të bëhet pjesë e përditshme e menaxhimit të terapisë, duke shërbyer si një urë lidhëse mes pacientit dhe sistemit shëndetësor, veçanërisht në fazën kur trajtimi vazhdon në shtëpi. Për Hasanin, thelbi i çdo startup-i qëndron te kuptimi i thellë i problemit. “Shpesh tundimi është të ndërtohet teknologjia e parë, por ajo që bën diferencën është sa mirë e kupton problemin”, përfundon ai./ Businessmag












