Në historinë e radhës në Probizz.al kemi intervistuar Vanesa Likën. Studente shqiptare në Zvicër plot pasion për pikturën dhe tërësisht e lirë në kreativitetin e saj. Që në vegjëli ka “përqafuar” artin si një mënyrë për të eksploruar realitetin dhe për të mos harruar historinë e të parëve tanë. Megjithëse e gjithë veprimtaria e saj deri tani është zhvilluar në Zvicër, vendi i cili ofron mjedisin e duhur për njerëzit e artit, Vanesa nuk harron atdheun dhe disa prej veprave të saj i kushtohen luftës për liri të Kosovës, traditës dhe kulturës shqiptare. Në një rrëfim për Probizz.al ajo tregon për ekspozitat e saj dhe projektet e afërta.
Kur e kuptove që piktura ishte pasioni që do të udhëhiqte deri tani?
Kam dashur gjithmonë të vizatoj që kur isha e vogël. E kaloja kohën duke vizatuar dhe kam ruajtur disa nga vizatimet e mia gjatë viteve. Kam dashur gjithmonë të krijoj, të vizatoj dhe madje të imagjinoj histori. Megjithatë, nuk kam menduar kurrë se kjo do të kalonte përtej një pasioni. Kam zgjedhur artin si një opsion specifik në gjimnaz për të mundur të zhvillohem në këtë fushë duke eksperimentuar teknika të ndryshme. Duke parë interesin e njerëzve për punën time, kam filluar të përqendrohem më shumë në të. Kështu është bërë më shumë se një pasion.
Sa ka ndikuar Zvicra në formimin dhe kreativitetin tënd ?
Sistemi arsimor zviceran është i njohur për ekselencën e tij. Që në moshë të re, sistemi shkollor zviceran inkurajon kreativitetin dhe lirinë e shprehjes. Mësuesit janë të trajnuar për të vlerësuar idetë origjinale dhe për të ofruar një mjedis ku nxënësit mund të eksplorojnë interesat e tyre personale. Kjo u mundëson fëmijëve të zhvillojnë mendimin kritik dhe krijues që në fillim.
Zvicra është një vend ku profesionet artistike vlerësohen shumë dhe interesi për artin zhvillohet më lehtë. Në kurrikulën shkollore zvicerane, orët e artit janë të detyrueshme dhe, në varësi të gjimnazit të zgjedhur, ka dhe kurse të historisë së artit, të cilat padyshim kanë ndihmuar në zhvillimin e interesit tim për këtë drejtim gjithashtu.
Mbështetja e kreativitetit që në fëmijëri dhe liria për të vepruar që karakterizojnë sistemin shkollor zviceran kanë qenë elemente kyçe në këtë proces, duke mundësuar zhvillimin e imagjinatës dhe mendimit tim.
Ekspozita juaj e parë ishte kushtuar traditave dhe kulturës shqiptare. A ndodh kjo për shkak të mallit që keni për origjinën e të parëve tuaj apo pasi dëshironi që të ruhen këto vlera brez pas brezi?
Njëkohësisht për dashurinë e origjinave dhe ruajtjen e vlerave përmes brezave. Ekziston një lidhje e fortë mes të dyjave, sepse dashuria për origjinat çon në një dëshirë për të ruajtur vlerat. Ato janë të lashta dhe të pasura duke qenë unike. Bota e jashtme meriton të njohë këtë pasuri dhe diaspora përpiqet ta sjellë këtë në jetën kulturore të vendeve të ndryshme. Arti është një mjet i fuqishëm për të përcjellë një mesazh dhe për të lënë gjurmë nga e kaluara, dhe kjo është dëshmuar përmes historisë.
Cila është piktura që është preferuar më shumë nga dashamirësit e artit tënd dhe cila është vepra që preferon më shumë ti dhe pse?
Piktura më e preferuar e dashamirësve është ajo e Adem Jasharit. Arsyeja që shumica e njerëzve japin është e lidhur me ndjenjën e dashurisë për atdheun, një të kaluar të dhimbshme dhe mbi të gjitha, ndjenjën e krenarisë për personazhin që figuron në pikturë. Njerëzit gjejnë një pjesë të vendit të tyre dhe gjithashtu është një vepër që kontribuon në kujtesën e luftës. Veshja dhe qëndrimi i fortë i Adem Jasharit janë zgjedhur për të reflektuar luftën për lirinë e secilit.
Di që në Kosova keni hapur një ekspozite kolektivë. Më tregoni më shumë për këtë iniciativë?
Po marr pjesë në një ekspozitë të re kolektive, këtë herë në Gjilan, Kosovë, ku do të marrin pjesë shumë artistë nga diaspora. Jam inkurajuar nga artisti shqiptar në Zvicër, Rame Dardania, të cilin e falënderoj për propozimin e tij. Mendoj se është e rëndësishme të krijoj një lidhje mes punës sime, e cila është drejtpërdrejt e lidhur me tokat tona. Është një mundësi e bukur për mua, sidomos sepse ekspozita trajton motivet e origjinës sonë. Ekspozita do të hapet më 25 korrik dhe do të kem mundësinë të prezantoj një nga pikturat e mia atje.