Pak vite më parë Zekri Picari zhvendoset në SHBA, ku angazhohet të zhvillojë biznes në fushën e ndërtimit. Sot, ai është afirmuar në tregun e pasurive të paluajtshme dhe ka plane ambicioze për të realizuar ndërtesa dhe madje për të importuar disa prej materialeve dhe pajisjeve për ndërtime nga Shqipëria.
Avantazhi i Zekrit në biznes është fokusi tek objektivi, por edhe ndërtimi i shumë urave të komunikimit. Një pjesë të punimeve sot ai i realizon me nënkontraktorë. Në biznesin e tij janë angazhuar edhe familjarë, ndërsa komunikimi me miqtë dhe sipërmarrësit në Shqipëri, po ngre ura për eksportin e disa pajisjeve të ndërtimit drejt tregut amerikan.
Ai është vendosur në New Jersey dhe kompania e tij, Master Pro Production shquhet për ndërtimin cilësor të çative.
Zekri, që kur keni ikur në SHBA kishit idetë e qarta për të bërë biznes. Si ishin fillimet e juaja?
Arsyeja kryesore që u largova ishte të vija në SHBA dhe të angazhohesha me biznes dhe kryesisht në fushën e ndërtimit.
Familjarë dhe të afërm të mi ishin të angazhuar në fushën e ndërtimit. Duke qenë në profesionin tim si web developer dhe designer kisha punuar për ta duke u krijuar websitet e nevojshme për bizneset që ato kishin. Unë shfrytëzova mundësinë për të mësuar më shumë duke qenë në kontakt që nga Shqipëria. Kur mbërrita në New York, isha fokusuar shumë për të krijuar biznesin tim, ishte bërë pasioni im dhe doja ta provoja veten me patjetër. Në fillim, askujt nuk i besohej që mund të ecja me këto ritme, por duke punuar fort dhe përvoja e madhe që në moshë të hershme në Tiranë, ku punova si drejtues i një biznesi privat me ka ndihmuar shumë për të pasur rrugën më të sigurt drejt suksesit.
Cilat kanë qenë sfidat e juaja për të bërë biznes? Ndërkohë, ishit integruar në Shqipëri? Cilat janë ndryshimet e të bërit biznes mes dy vendeve?
Në përgjithësi, i gjithë rrugëtimi ka qenë sfidë e madhe dhe vazhdon të jetë. Por, sigurisht sfida me e madhe kanë qenë të ardhurat fillestare, pasi në krahasim me Shqipërinë, shpenzimet dhe të ardhurat mujore që duhen këtu janë shumë më të larta. Me duheshin para për të investuar, për të jetuar dhe gjithashtu për shpenzimet e përditshme. Duke qenë dhe në moshë të re, nuk mungonte dëshira për të dalë në fundjavë, apo për të shkuar në vende të ndryshme.
Por, isha shumë i përqëndruar në punë dhe bëja pak pushime. Ky është ndryshimi më i madh mes 2 vendeve. Në Shqipëri bëhet më shumë pushime se punë, ndërsa në SHBA është e kundërta, më shumë punë se pushime, (dhe mendoj që është gjëja e duhur). Sigurisht që njeriu duhet të ketë kohë edhe për pushime, të kalojë kohë me familjen, por puna duhet të jetë kryesore.
Ku jeni fokusuar aktualisht dhe kë keni përfshirë në sipërmarrje. Si jeni organizuar?
Jemi fokusuar kryesisht në ndërtimin rezidencial. Pjesën më të madhe me ndërtimin e çative, rindërtimin e fasadave dhe të gjitha llojet e ndërtimit rezidencial. Fatmirësisht kam familjen, babain dhe vellezërit që punojmë bashkë dhe ka qenë një ndihmë shumë e madhe për të vazhduar përpara. Gjithashtu, po nisim një fazë investimi në prona të paluajtshme dhe real estate për të kaluar në një fazë tjetër të konceptit të ndërtimit. Sigurisht që kjo fushë nuk ka fund, por hap pas hapi do të arrijmë synimet tona.
Si është konkurenca në fushën tuaj dhe si ia dilni të siguroni avantazh ne treg?
Në fakt, konkurenca është shumë e madhe, madje mendoj që është një nga fushat me konkurencën më të lartë. Por, duke punuar me cilësi të lartë, duke i kushtuar vëmendje komunikimit me klientin, ndërkohë profesioni im si designer dhe web developer më ka mundësuar të krijojmë një brand, kemi mundur të qëndrojmë në treg shumë mirë.
Cilat janë planet që keni për të ardhmen lidhur me sipërmarrjen?
Objektivi është të krijojmë shpejt një kompani që të bëjmë të mundur ndërtimin e një shtëpie, godine, pallati apo një strukture me të gjitha resurset tona, nga arkitekti, inxhinieri dhe ndërtuesit. Gjithashtu, jemi në kontakt me kompani shqiptare për të bërë të mundur që shumicën e materialeve si, dritaret, dyert, strukturat metalike, apo dhe kuzhinat t’i importojmë nga Shqipëria. Shpresoj që shumë shpejt të fillojmë dhe jam shumë entuziast që do t’ia dalim.
Ne kemi vënë re një ndjeshmëri të lartë tuajën për Shqipërinë dhe komunitete të ndryshme në Shqipëri, veçanërisht në vendin e origjinës. A jeni në kontakt me kolegë dhe miq?
Une jam lindur dhe rritur në Shqipëri, kam shoqërinë time dhe kam kaluar pjesën më të bukur të jetës. Vazhdoj të kem kontakte të shumta me të gjithë kolegët dhe miqtë. Jam munduar që të jap kontributin tim, sepse besoj fort që të gjithë nga pak mund të bëjmë shumë për Shqipërinë. Ëndrra ime është që një ditë të sjell fëmijët në Shqipërinë që gjithmonë kam ëndërruar dhe pse me duket larg ajo ditë, megjithatë vazhdoj të shpresoj akoma se mund të bëhet.
Nëse ju nxisim të analizoni aftësitë tuaja si sipërmarrës, cilat kanë qenë ato që ju kanë mundësuar të ecni përpara?
Mund të them vetëm një fjalë, që është më e rëndësishmja: “organizim”, kjo do të thotë që nëse drejtuesi di të organizojë punët, çdo gjë do të jetë shumë e thjeshtë për të ecur përpara. Siç e thashë edhe më sipër, mua më kanë ndihmuar të gjithë elementët. Të rinjve që duan të angazhohen në biznes u sugjeroj një gjë: të krijojnë përvojë dhe të sigurojnë informacion.
Sa më shumë të studiosh e mësosh është një bazë e rëndësishme, por përvoja praktike është shumë e rëndësishme, pasi përballesh me jetën reale dhe sfidat e njëpasnjëshme, qe duhet t’i menaxhosh.
Vetëm një drejtues me përvojë do t’ia dalë të mbizotërojë, pasi tregu është shumë i ashpër në ditët e sotme edhe për shkak të teknologjisë së re.
Marrë nga businessmag.al