Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), në bashkëpunim me aktorët e sektorit privat, shoqatat e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike (BMA), dhe me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i zbatuar nga Helvetas dhe Partnerët Shqipëri, organizoi konferencën kombëtare të fokusuar në transformimin e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri.
Konferenca, e titulluar “Zhvillimi i Teknologjisë dhe Transferimi i Njohurive në Sektorin e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike në Shqipëri,” u mbajt në UBT më 14 Nëntor 2024. Kjo platformë bëri së bashku aktorët kryesorë të industrisë, duke përfshirë politikbërjen, akademinë, ekspertë ndërkombëtarë, biznese, donatorë dhe blerës ndërkombëtarë, për të diskutuar dhe avancuar sektorin e BMAve në Shqipëri.
Për herë të parë, UBT dhe sektori privat, i përfaqësuar nga dy shoqata kryesore të BMAve, nënshkruan një marrëveshje partneriteti për të drejtuar zhvillimin e ardhshëm të sektorit. Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të industrisë së BMAve në Shqipëri. Kompendiumi Kombëtar i Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, i zhvilluar përmes një partneriteti midis UBT, Qendrës Zvicerane të Ekselencës në Bujqësi (Agroscope), dhe sektorit privat, me mbështetjen e RisiAlbania, ofron njohuri të rëndësishme mbi kultivimin e BMAve, menaxhimin e cilësisë dhe strategjitë e tregut. Dokumenti synon të ndihmojë aktorët e sektorit në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe gjurmueshmërisë, duke mundësuar kalimin nga mbledhja në natyrë, drejt kultivimit të qëndrueshëm.
Konferenca u përshëndet nga figura të rëndësishme. Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Rektori i UBT, foli mbi rolin e akademisë në avancimin e inovacionit bujqësor dhe ftoi shoqatat e bizneseve të jenë të pranishme dhe fizikisht në universitet, për të qenë më pranë studentëve. Z. Arjan Jaupllari, Zëvendës Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, diskutoi vizionin strategjik të Ministrisë për sektorin e BMAve, si edhe kontributin e zhvillimeve të tilla drejt Kapitujve 11 & 12 të Acquis Communautaire. Zoti Stephan Joss, Koordinator Kombëtar i Helvetas, theksoi kontributet e projektit në sektorin e BMAve dhe objektivat e tij më të gjera të zhvillimit.
Agjenda përfshinte prezantimin e Kompendiumit të BMAve nga Prof. Dr. Ilir Kristo, Prof. Dr. Endrit Kullaj, dhe Prof. Dr. Alban Ibraliu, të cilët diskutuan se si kompendiumi mbështet sektorin në standardet e cilësisë, mekanizimin dhe konkurrencën në eksport. Gjithashtu, Prof. Dr. Bernhard Streit nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Bernës prezantoi potencialin e Shqipërisë për bujqësi rigjeneruese.
Panelet u thelluan mbi rolin e shoqatave të BMAve në nxitjen e qëndrueshmërisë dhe nevojën për një platformë kombëtare për të koordinuar përpjekjet e sektorit. Diskutimet mbuluan gjithashtu tendencat e tregut ndërkombëtar dhe kërkesat specifike të blerësve me vlerë të lartë, me kontribute nga përfaqësues të sektorit privat dhe blerës ndërkombëtarë.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të angazhohen konkretisht në diskutime gjatë sesioneve të rrjetëzimit të konferencës. Kjo platformë inkurajoi bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive, duke lehtësuar rrugën e sektorit drejt rritjes së konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe arritjes në treg.