Alfred Marku është sipërmarrësi dhe kuzhinieri që ka themeluar restorantin e famshëm Rapsodia në Shëngjin. Një subjekt që i jep vlera të mëdha zonës për nga veçantia që gëzon. Shef Marku ka ardhur së fundmi me një rrëfim për jetën, një kërkim të rrënjëve të kulinarisë shqiptare dhe receta që vijnë si një vepër arti. Një libër ku shija gërshtohet me të ushqyerit e shëndetshëm me titull “Rapsodi në pjatë”.
Në një rrëfim për Klan News me gazetaren Iva Kalemi, Marku tregon se si ka lindur ideja për të mbledhur veprimtarinë dhe artin e tij të kulinarisë në një libër.
“Ideja e gjithë lindi për të krijuar, se po shikoja të gjithë po bënin libër thash po bëj dhe unë, dhe po mendoja si ta sjell në një mënyrë më ndryshe, më profesionale. Përfshiva një jetë timen në kuzhinë, duke filluar që në itali. Në ato momentet e para që i futesh dhe fillon i krijon ato recetat e tua. Në fakt janë 50 receta dhe 52 histori që janë pjata tona të cilat i kemi krijuar vetë, duke gjetur frumëzimet, inspirimet, duke kujtuar traditat, kulturën tonë. Unë them që gjithë njerëzit kanë nga një dërrasë mangut, shefat e kuzhinës kanë nga dy , pastaj fillojmë dhe ndahemi që një shef kreativ, në kuptimin pak “i çmendur” duhet të ketë 4 apo 5, sepse ti je gjithmonë në kërkimin e dickaje të re, je gjithmonë në kërkimin e frymëzimit, sjell gjithmonë një risi.” – tha Marku.
Nëse disa duan ta mbajnë sekret formulën e gatimeve dhe të specialiteteve, e kundërta ndodh me shefin e kuzhinës dhe sipërmarrësin Alfred Marku.
“Unë madje jam super i kënaqur t’i ndaj dhe eksperiencat, dhe recetat, sepse dua t’i jap jetë asaj që unë mbaj dhe nqs unë kam këtë dhunti, pjesën e kreativitetit, kam këtë pasion kaq shumë të madh, pse mos ta shpërndaj me njerëzit, kolegë që na rrethojnë. Është shumë e rëndësishme cilësia e produktit. Nqs nuk e ke një produkt cilësor, nuk mund të bësh pjata të mira. Sado të mund të krijosh, fantazosh, qëndron gjithmonë një pjatë e dobët.”
Me pasion flet për Lezhën.
“Lezha është shumë e pasur por jo që është qyteti im. Unë e quaj veten të bekuar që jam në Lezhë dhe jetoj në Lezhë, sepse Lezha është ndërtuar me shumë kultura të ndryshme krahinore. Kemi 6 kultura krahinore të ndryshme, në këtë mënyrë qytetin e bën më të pasur, e bën me shumë ngjyrë, me shumë histori, me shumë shije të ndryshme, me shumë kultura të ndryshme. Kjo e bën dhe më shumë fantastike. Zhvillimi i turizmit gastronomik në Lezhë nuk ka filluar vetëm me ardhjen time apo të shumë kolegëve të tjerë. Ka filluar që me Hysenin, ai ka ndërruar jetë, një nga shefat më të mirë që ka punuar për disa vite te Hoteli i Gjuetisë, në ’94 ka qenë në Gjermani ka marrë një cmim të parë dhe ai pas ndërrimit të sistemit vazhdoi të thithte akoma njerëz vetëm falë duarve të tij. Besoj që një shef kuzhine nuk duhet të mendojë në të vogël. Në të vogël i them unë, të mendoj vetëm për territorin që ka aty afër. Një shef kuzhinë është një mendje 360 gradë, që ti do të kërkosh jo vetëm në Shqipëri, por përtej. Pra, të kërkosh një piper që vjen nga Afrika, një aromë që vjen nga Franca, një kulturë që vjen nga tjetra.Elbasani ka pjata pafund dhe ka një histori të pafund.” – shprehet Marku.
Alfred Marku është një ndër kuzhinierët më të spikatur jo vetëm në zonën e veriut por dhe në Evropë. Marku është ideatori i tortës së famshme prej 18 tonësh për 100 vjetorin e Pavarësisë në Pallatit të Kulturës./ProBizz.al