Më 1 nëntor nisi procesi i aplikimeve online në Agjencinë e Eficiencës së Energjisë nga konsumatorët familjarë, me qëllim përfitimin e subvencionimit me 70% të kostos të paneleve diellore për ngrohjen e ujit në depozita.
Incentiva shërben për të reduktuar kostot e konsumit të energjisë elektrike, meqenëse ngrohja e ujit zë peshë 25-30% në faturën e dritave.
Për të përfituar nga skema, një ndër kriteret është që familjari aplikues nuk duhet të ketë detyrime ndaj Furnizuesit të Shërbimit Universal, ndaj është i nevojshëm marrja e Vërtetimit të Debisë.
Skema e subvencionimit ka rritur mjaft interesin për të aplikuar, duke shtuar volumin e kërkesave në E-Albania për marrjen e “vërtetimt të debisë”, dokument ky që procesohet dhe miratohet në zyrat qëndrore të Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU Sh.A) dhe brenda 5 ditëve mund të tërhiqet online nga abonentët familjarë. Shtimi i kërkesave në portal mund të vonojë dhënien e këtij dokumenti.
“Me qëllim realizimin brenda afateve të lëshimit të vërtetimit, FSHU u bën thirrje abonentëve familjarë që të aplikojnë edhe pranë zyrave të Kujdesit të Klientit nëpër rrethe. Për një menaxhim më të mirë të procesit, stafeve, realizimit në kohë dhe krijimin e lehtësive, drejtoritë rajonale të FSHU përmes 100 zyrave të Kujdesit ndaj Klientit të shtrira në të gjithë vendin kanë mundësi tu përgjigjen në kohë kërkesave për lëshimin e vërtetimit të debisë, në kushtet kur sot përmes E-Albanias kemi fluks të lartë kërkesash dhe staf të përcaktuar për trajtimin e tyre në drejtorinë qëndrore”, sqaroi administratori i FSHU, z.Elton Sevrani.
Aplikimi për Vërtetimin e Debisë edhe në sportelet e Kujdesit ndaj Klinetit, i jep mundësi abonentit familjar të marrë në kohë reale shërbimin e duhur, edhe në rastet kur do t’i duhet përditësimi i të dhënace në kontratën e dritave.
FSHU njofton se, nga ana e saj janë marrë të gjitha masat për vendosjen e personelit të zyrave të Kujdesit të Klientit në të gjithë vendin, në funksion të këtij procesi, për përshpejtimin e dhënies në kohë sa më të shpejt të dokumentit të Vërtetimit të Debisë.
Rikujtojmë se, për marrjen e vërtetimit të debisë, duhet që aplikanti të jetë posedues i kontratës së furnizimit me energji elektrike. Në rast të kundërt, FSHU këshillon abonentët që duan të bëhen pjesë e procesit, të përditësojnë të dhënat e tyre pranë zyrave të KNK-ve, duke paraqitur në sportelet tona, kartën ID, librezën e dritave dhe një numër telefoni.