“Kam 20 vjet që merrem me tregti. Fillimisht e kam nisur biznesin me mbjelljen e serave dhe tashmë eksportojë me mijëra ton në vit prodhime shqiptare drejt vendeve të Evropës e më gjerë”, kështu e nis rrëfimin Nedrete Arapi, sipërmarrësja nga Lushnja.
Nedretja që të gjithë e thërrasin Neta rrëfen historinë e jetës së saj, e cila ka qenë me plot sfida.
“Në vitet 2000 mbillja perime në serat që kisha pranë shtëpisë në Zian të Lushnjës. Atë kohë fjala eksport për ne që merreshim me bujqësi nuk ekzistonte dhe problemi më i madh që kishim ne të gjithë si fermerë ishte mbetja stok e prodhimit. Fillimisht dilja në tregun e Lushnjës, por as aty nuk po gjeja treg, kështu që shkova në Divjakë. Aty rashë në kontakt me disa tregtarë nga Mali i Zi dhe Kosova. Këto ishin hapat e parë si eksportuese. Biznesi po me ecte mire, kështu që nisa të zgjerohesha. Kërkova punëtorë dhe meqë toka ime nuk i përballonte kërkesat, nisa të lidhesha me fermerë të zonës”, thotë Neta.
Më pas gruaja hapi një pikë grumbullimi, në periferi të Lushnjës, por pranë rrugës nacionale. Me kalimin e viteve kërkesat për eksport u rritën dhe ato ambiente nuk i mjaftuan grosistes, kështu që kërkoi investime për ndërtimin e një pike të re grumbullimi, që të ishte më të madhe dhe me kushte e teknologji moderne, për t’iu përshtatur standardeve të vendeve evropiane. Kështu që sipërmarrësja iu drejtua për mbështetje financiare AZHBR-së.
Zonja Arapi aplikoi në Masën 3– Sektori i fruta perimeve “Investim në ndërtimin e magazinës bujqësore për grumbullimin dhe eksportin e frutave dhe perimeve”, për të ndërtuar “shtëpinë e re” të biznesit. Arapi u financua nga IPARD-i me një grant prej 189 mijë euro dhe nga kontributi i qeverisë shqiptare, 63 mijë euro.
Magazina e re e saj është rreth 1540 m2, ku grumbullon, seleksionon, kalibron dhe ambalazhon fruta-perimet për eksport. Ambienti ka edhe 3 dhoma të mëdha frigoriferike. Ndër të tjera, gjithë investimi ka mbështetur futjen dhe përmirësimin e teknologjive që përmbushin standardet e BE për përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe sistemeve të cilësisë. I vendosur si pozicion 6 km nga tregu i shumicës së grumbullimit të fruta – perimeve të qytetit, kjo magazinë është polifunksionale dhe në marrëdhënie të ndërsjella me këtë treg.
Grosistja thotë se ndërtimi i kësaj magazine i ka rritur më tej kapacitetin e punës, duke sjellë edhe zgjerim të stafit. Thotë se eksportuesit e huaj janë shumë të kënaqur me kushtet e mirëmbajtjes së prodhimeve bujqësore.
Nedretja ka lidhur kontrata me 1500 fermerë, të cilëve iu blen prodhimin bujqësor. Ka raste kur ky numër është edhe më i madh. Në magazinën e saj janë të punësuara mbi 40 gra, të cilat merren me ambalazhimin dhe sistemimin e produkteve nëpër kuti që nisen për eksport.