Tesla deklaroi se do t’u ofrojë rritje page punonjësve në fabrikën e saj gjermane, ku sindikatat kanë deklaruar se ata fitojnë më pak se mesatarja e sektorit.
Prodhuesi amerikan i makinave elektrike deklaroi se do të njoftojë personelin në nëntor për nivelin e rritjes së pagës, duke shtuar se i ka rritur pagat me 6% vitin e kaluar.
Në ndryshim nga shtëpitë e tjera automobilistike në Gjermani, Tesla nuk ka një marrëveshje kolektive që rregullon pagat.
Në bazë të marrëveshjes vitin e kaluar, punonjësve në Volkswagen, Mercedes-Benz dhe BMW u është ofruar rritje page me 5.2% në qershor 2023 dhe me 3.3% në 2024, si dhe një kompensim për shkak të inflacionit prej 3000 eurosh për punonjësit me kohë të plotë.
Sindikata gjermane IG Metall ka deklaruar më parë se pagat e Tesla janë më të ulëta, me rreth 20%, krahasuar me ato të ofruara sipas marrëveshjes kolektive e punës.
Tesla, e cila aktualisht ka të punësuar rreth 11 mijë punonjës në fabrikë, duhet të punësojë staf të mëtejshëm për të përfunduar zgjerimin e parashikuar duke nisur nga gjysma e parë e vitit të ardhshëm, që do të dyfishojë kapacitetin e baterive dhe prodhimin e makinave.
IG Metal deklaroi se Tesla i ka njoftuar punonjësit për rritjen e pagës në një seri takimesh të zhvilluara në fabrikë këtë javë.
Takimet u mbajtën për të vënë në dijeni personelin mbi “metodat e diskutueshme” të IG Metal, pasi sindikata pati thënë se do të vizitonte fabrikën për të informuar punonjësit rreth
anëtarësimit në sindikatë.
Tesla nuk iu është përgjigjur kërkesave të mëparshme për koment të Reuters në lidhje me takimet.
Burimi: Businessmag.al