Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2023, është 75,025 lekë, duke u rritur me 13.7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Po çfarë thonë shifrat për sektorin shtetëror dhe atë privat? Sipas të dhënave të “Institutit të Statistikave” paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror në tremujorin e 4-tët është ngjitur pranë 87,864 lekëve, nga 74,450 lekë që ishte në tremujorin e fundit të vitit 2022, në rritje me 18%. Në terma nominal bëhet fjalë për një rritje prej 13,414 lekë të pagës mesatare në shtet gjatë vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, duket se paga mesatare bruto në sektorin privat është rritur më pak se në shtet. Nga të dhënat shohim se në fund të vitit të kaluar paga bruto në sektorin privat u ngjit pranë 69,400 lekëve, nga 62,198 lekë që ishte në fund të 2022-shit, në rritje në 11.6%. Në terma nominal bëhet fjalë për 7,202 lekë rritje page në muaj për shqiptarët që punojnë në sektorin privat përgjatë vitit 2023.
Pra, pagat në shtet vijojnë të mbeten më të larta se ato në privat, rreth 26.6%, sipas shifrave të tremujorit të katërt të vitit të kaluar. Ajo që vihet re është se ky hendek është thelluar krahasuar me vitin 2022, kur pagat në shtet ishin rreth 20% më të larta se në privat.
Rikujtojmë se shqipëria renditet mes vendeve me përqindjen më të lartë të punonjësve të cilët janë të punësuar në sektorin shtetëror në krahasim me totalin e të punësuarve me pagë.
Nëse flasim për aktivitetet ekonomike shohim se grupet që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni, me 148,597 lekë dhe 114,761 lekë përkatësisht. Nga të dhënat pagën më të ulët bruto e regjistrojnë “Bujqësia” dhe “Ndërtimi”.
Marrë nga Scan