Çelet ekspozita e re personale e Agim Sulajt “Rrënjët 9”, një nga emrat më të shquar të artit bashkëkohor shqiptar. Kjo ngjarje artistike shënon një moment të veçantë, duke i sjellë publikut një pjesë të krijimtarisë së tij, me vepra që kanë fituar çmime dhe janë admiruar në mbarë botën.

Agim Sulaj, i lindur në Vlorë në vitin 1960, është një artist që transmeton përvojë, teknikë të përsosur dhe ndërgjegjësim social. Rruga e tij artistike filloi në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas u vendos në Rimini, Itali, ku ai ka krijuar dhe zhvilluar një stil të pazakontë.

Shumë e kujtojnë Sulajn nga karikaturat e mprehta dhe të gjalla për revistën e famshme “Hosteni”. Sot, ai është kthyer në një mjeshtër të hiperrealizmit, por Sulaj nuk e përdor këtë teknikë thjesht për të mahnitur. Për të, ajo është gjuha për të transmetuar mesazhe të forta sociale rreth temave si shkatërrimi i mjedisit, migracioni dhe sfidat njerëzore . Ato ftojnë publikun jo vetëm në admirim, por edhe në reflektim.

Me mbi 250 çmime në muze dhe konkurse të njohura botërisht, ai ka vendosur një standard të ri. Kulmi i këtyre sukseseve është Grand Prix në Aydin Dogan, një nga çmimet më prestigjioze në botë për karikaturën, që e vendos atë mes emrave më të rëndësishëm të kësaj fushe.
Ekspozitat e tij janë shfaqur në galeri dhe qendra kulturore në Itali, Francë, Britani të Madhe, Belgjikë dhe, sigurisht, në Shqipëri, duke e shndërruar atë në një ambasador të vërtetë të kulturës shqiptare.
Ekspozita e re e çelur dje është më shumë se një koleksion pikturash; është një udhëtim në mendjen dhe shpirtin e një nga krijuesit më të spikatur të kohës sonë. Është një mundësi e rrallë për të parë nga afër fuqinë e një arti që flet një gjuhë universale, por mbart në vetvete zemrën dhe shpirtin shqiptar.
Ekspozita “Rrënjët 9” është e hapur për publikun. Mos e humbni mundësinë të përjetoni “botën” vizuale të Agim Sulajt.



















