13 shkurti është Dita Botërore e Radios e cila u shpall në vitin 2011 nga UNESCO
Në nivel global, radioja mbetet mediumi më i konsumuar. Ajo është me kosto të ulët i përshtatshëm posaçërisht për të arritur komunitetet e largëta dhe njerëzit në nevojë, duke ofruar një platformë për të ndërhyrë në debatin publik, pavarësisht nga niveli arsimor i njerëzve.
Radioja gjithashtu luan një rol vendimtar në komunikimin emergjent dhe ndihmën në raste fatkeqësish.
Në këtë ditë, mesazhi i drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s, Khaled El-Enany u përqendrua tek marrëdhënia mes radios dhe Inteligjencës Artificiale.
“Së bashku, le të sigurohemi që IA t’i shërbejë publikut dhe jo anasjelltas. Le të sigurohemi që radioja të vazhdojë të informojë me integritet, të lidhet me empati dhe të flasë me një zë njerëzor”, tha drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s.
OKB thotë se aktualisht radioja ndodhet në një moment transformimi ku IA mund të ndihmojë në forcimin e misionit të saj kryesor: informimin, edukimin dhe argëtimin. Duke automatizuar detyrat rutinë si planifikimi, gjurmimi i zërit, përditësimet e motit dhe sporteve, si dhe rrjedhat administrative të punës, radiot mund t’i çlirojnë ekipet në mënyrë që të përqendrohen në kreativitet dhe ndërlidhje.












