Bizneset në Shqipëri do t’u nënshtrohen rregullave të reja për regjistrimin, deklarimin e aktivitetit ekonomik dhe përditësimin e të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Ndryshimet ligjore parashikojnë certifikimin e detyrueshëm të aktivitetit ekonomik, verifikimin e tij çdo vit, deklarimin e vendndodhjes përmes koordinatave GPS, si dhe gjoba prej 60 mijë lekësh dhe pezullime për subjektet që nuk respektojnë detyrimet.
Ndryshimet janë pjesë e ligjit nr. 118/2026, i cili ndryshon ligjin ekzistues “Për regjistrimin e biznesit” dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.
Megjithatë, jo të gjitha dispozitat do të zbatohen menjëherë. Një pjesë e detyrimeve të reja, përfshirë certifikimin e aktivitetit ekonomik dhe sanksionet përkatëse, kërkojnë fillimisht përshtatjen e sistemeve elektronike dhe plotësimin e kuadrit nënligjor.
Certifikimi i aktivitetit, detyrim për bizneset e reja dhe ekzistuese
Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë lidhet me Kodin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE), i cili do të përdoret si referencë zyrtare për identifikimin e aktivitetit kryesor dhe aktiviteteve të tjera të biznesit.
Sipas ligjit, çdo subjekt që regjistrohet për herë të parë duhet të deklarojë aktivitetin që do të ushtrojë, ndërsa identifikimi, verifikimi dhe certifikimi i kodit përkatës do të kryhen nga Dhoma Ekonomike Kombëtare.
Certifikata e Kodit NVE nuk do të jetë kusht për regjistrimin fillestar dhe pajisjen me NIPT. Megjithatë, biznesi do të ketë 30 ditë kalendarike nga data e regjistrimit për ta ngarkuar certifikatën në portalin e-Albania dhe për të korrigjuar eventualisht mospërputhjet ndërmjet aktivitetit të deklaruar dhe atij të certifikuar.
Nëse ky afat nuk respektohet, QKB-ja do ta kalojë automatikisht subjektin në statusin “i pezulluar”. Pezullimi do të vijojë deri në depozitimin e certifikatës përkatëse.
Detyrimi nuk kufizohet vetëm te bizneset e reja. Ligji vendos edhe verifikimin periodik vjetor të Kodit NVE për subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar.
Bizneset do të duhet të paraqesin certifikatën e përditësuar jo më vonë se 30 ditë kalendarike pas përfundimit të afatit njëvjeçar të certifikatës së fundit.
Gjithashtu, kur një subjekt ndryshon objektin ose fushën e veprimtarisë, duhet të regjistrojë ndryshimin pranë QKB-së brenda 30 ditëve kalendarike nga lëshimi i certifikatës së re nga Dhoma Ekonomike Kombëtare.
Për bizneset ekzistuese që nuk janë certifikuar më parë, procedurat dhe afatet do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Gjoba 60 mijë lekë dhe bllokim i veprimeve në regjistrin tregtar
Ligji parashikon masa administrative për mosrespektimin e detyrimeve të certifikimit dhe përditësimit të aktivitetit.
Mosparaqitja brenda afatit e certifikatës vjetore të Kodit NVE do të ndëshkohet me gjobë prej 60 mijë lekësh. E njëjta masë parashikohet edhe për mosrespektimin e detyrimit për përditësimin e kodit kur ndryshon objekti i veprimtarisë.
Përveç gjobës, biznesit do t’i pezullohet e drejta për të kryer veprime në regjistrin tregtar deri në saktësimin, përditësimin dhe certifikimin e Kodit NVE.
Heqja e pezullimit do të bëhet menjëherë pasi certifikata të depozitohet dhe kodi përkatës të pasqyrohet në regjistër.
Megjithatë, këto sanksione nuk fillojnë të zbatohen automatikisht me hyrjen e përgjithshme në fuqi të ligjit. Zbatimi i tyre kushtëzohet nga funksionaliteti teknik i sistemeve dhe ndërveprimi ndërinstitucional, ndërsa kompetencat e Dhomës Ekonomike Kombëtare lidhen edhe me hyrjen në fuqi të ligjit të posaçëm për këtë institucion.
Vendndodhja e biznesit do të identifikohet edhe me GPS
Një tjetër ndryshim është detyrimi për identifikimin e vendndodhjes së ushtrimit të aktivitetit përmes të dhënave gjeohapësinore.
Bizneset do të deklarojnë vendndodhjen gjatë regjistrimit fillestar dhe sa herë që ajo ndryshon. Identifikimi i adresës do të plotësohet me koordinata GPS, të cilat do të përdoren për verifikim administrativ.
Mënyra konkrete e deklarimit dhe verifikimit përmes sistemit GPS do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pasqyrat financiare, afate të përcaktuara dhe shkëmbim automatik me Tatimet
Ndryshimet ligjore rregullojnë edhe depozitimin e pasqyrave financiare vjetore pranë QKB-së.
Për subjektet që kanë detyrim të hartojnë dhe paraqesin pasqyra financiare, ligji përcakton si afat datën 30 prill të vitit pasardhës për personat fizikë tregtarë, ndërsa për personat juridikë tregtarë afati është 30 qershori.
Dokumentacioni do të depozitohet në format elektronik të strukturuar, sipas modeleve dhe standardeve të miratuara.
Ndryshimi tjetër lidhet me shkëmbimin automatik të informacionit ndërmjet QKB-së dhe administratës tatimore. Pasqyrat financiare të depozituara pranë QKB-së do të konsiderohen burim zyrtar për institucionet publike dhe nuk do të kërkohet ridorëzimi i tyre pranë Tatimeve.
Kjo dispozitë synon të shmangë paraqitjen e të njëjtit dokumentacion në dy institucione, por zbatimi praktik kërkon funksionimin e sistemeve të ndërveprimit elektronik.
Regjistrimi elektronik dhe afat 21-ditor për korrigjimin e aplikimeve
Ligji përcakton portalin e-Albania si kanalin e aplikimit për regjistrimin fillestar dhe ndryshimet në regjistrin tregtar.
Për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, shoqëritë komandite dhe degët e tyre parashikohet mundësia e përfundimit të të gjithë procesit elektronikisht, përfshirë hartimin e aktit të themelimit dhe statutit përmes formateve standarde.
Këto formate do të ofrohen edhe në gjuhën angleze, për të lehtësuar përdorimin e tyre nga investitorët e huaj.
Në rast se aplikimi ka mangësi ose dokumentacioni nuk plotëson kërkesat, QKB-ja duhet të njoftojë elektronikisht aplikantin, duke i dhënë një afat prej 21 ditësh kalendarike për korrigjimin e problemeve.
Nëse mangësitë plotësohen brenda afatit, QKB-ja është e detyruar të kryejë regjistrimin brenda një dite nga plotësimi i dokumentacionit. Regjistrimi do të mbajë datën e aplikimit fillestar.
Për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, ligji përcakton gjithashtu se vërtetimi i shlyerjes së kapitalit themeltar nuk është kusht për regjistrimin fillestar, përveç rasteve kur ligje të posaçme parashikojnë ndryshe.
Regjistri shqiptar do të ndërlidhet me regjistrat e Bashkimit Evropian
Ndryshimet parashikojnë edhe pajisjen e bizneseve me një identifikues unik evropian, të njohur si EUID, i cili do të shërbejë për identifikimin e tyre në komunikimin ndërmjet regjistrave tregtarë.
Ky identifikues do t’u caktohet automatikisht edhe subjekteve ekzistuese dhe do të mbetet i pandryshueshëm.
Ndërlidhja do të mundësojë shkëmbimin elektronik të informacionit mbi kompanitë, degët e tyre, statusin ligjor dhe personat e autorizuar për përfaqësim.
Megjithatë, dispozitat që lidhen drejtpërdrejt me sistemin evropian të regjistrave do të hyjnë në fuqi vetëm në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kur fillon zbatimi i plotë?
Ligji përcakton disa faza zbatimi. Krahas hyrjes së përgjithshme në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, dispozitat për regjistrimin plotësisht elektronik dhe formatet standarde kanë një afat të veçantë hyrjeje në fuqi, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Ndërkohë, qeveria ka 12 muaj kohë për të miratuar aktet nënligjore që rregullojnë certifikimin e Kodit NVE, deklarimin e vendndodhjes me GPS dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave.
Kjo do të thotë se bizneset do të përballen me një kuadër të ri detyrimesh dhe procedurash, por afatet konkrete për disa prej ndryshimeve më të rëndësishme, veçanërisht certifikimin vjetor dhe sanksionet, varen nga përgatitja teknike dhe institucionale për zbatimin e tyre. /ekofin.al











