Pas vitesh pritjeje dhe dy shtyrjesh të publikimit, GTA 6 ka mbërritur më në fund për lojtarët në mbarë botën, duke shkaktuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Loja e shumëpritur nga Rockstar Games ka marrë vlerësime shumë të larta nga kritikët, duke arritur një rekord prej 99 pikësh në Metacritic, bazuar në 150 recensione.
Interesi për lojën ka qenë aq i madh, sa shumë fansa kanë vendosur të marrin pushime nga puna për t’iu kushtuar aventurës së re, ndërsa disa kompani kanë zgjedhur t’u japin punonjësve ditën e lirë. Edhe shkollat në Britaninë e Madhe kanë paralajmëruar nxënësit që të mos lënë pas dore mësimet, madje një shkollë në Essex ka ofruar kuponë dhe dreka festive për ata që paraqiten në mësim.
GTA 6 zhvillohet në shtetin imagjinar Leonida dhe sjell në qendër të historisë dy personazhe, Lucian dhe Jason, të cilët përfshihen në botën e krimit pas një grabitjeje që shkon keq. Loja është vlerësuar veçanërisht për grafikën, realizmin dhe detajet e shumta, ndërsa kritikët kanë veçuar edhe mënyrën më njerëzore të portretizimit të personazheve femra.
Pritshmëritë janë jashtëzakonisht të larta, sidomos pas suksesit gjigant të GTA 5, e cila është kthyer në një nga produktet më fitimprurëse të argëtimit në histori. Rruga drejt publikimit të vazhdimit nuk ka qenë e lehtë, pasi Rockstar është përballur me shtyrje, sulme kibernetike dhe rrjedhje të materialeve nga versioni i papërfunduar i lojës.
Megjithatë, asgjë nuk duket se e ka zbehur interesin e fansave. Disa kanë blerë konsola të reja posaçërisht për këtë lojë, ndërsa të tjerë kanë planifikuar edhe pushime larg angazhimeve të përditshme, vetëm për të shijuar sa më gjatë botën virtuale të GTA 6.
Duket se për miliona lojtarë, kjo nuk është thjesht një lojë e re, por një ngjarje që e kanë pritur për vite me radhë.











