Avioni i “Air Albania” është nisur ditën e sotme nga Londra me disa emigrantë shqiptarë në bord. Ndalesa e parë tranzit u bë në aeroportin e Rinasit dhe prej andej u nis drejt Kukësit, ku bëri dhe uljen me sukses.
Kryeministri Edi Rama u ngjit në bordin e avionit në Rinas dhe udhëtoi gjithashtu drejt Kukësit. Gjithashtu pjesë u bë dhe Ministrja e Transporteve, Belinda Balluku. Ajo tha se ky aeroport nga dita e sotme do t’i lihet në dorë koncesionarit dhe do të fillojnë testimet nga kompanitë ajrore.
“Duke nisur nga sot ky aeroport është operacional. Do të nisin të gjitha testet nga kompanitë ajrore. Do nisim nga puna për të lidhur kontratën, për të provuar pistën, për të validuar procedurat dhe sigurisht për ta bërë këtë aeroport sa më tërheqës për të gjithë zonën. Këtu do ketë pasagjerë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi e kudo. Në datë 17 Qershor kur mbaron afati i publikimit që kemi nisur në atë datë aeroporti i Kukësit do të jetë aeroport i përdorshëm nga të gjitha kompanitë. Nga ky moment i lihet në dorë koncesionarit. Që këtu do fluturohet për në shumë qytete të Gjermanisë, për në Angli, për në Zvicër në mjaft qytete që nuk fluturohet nga Tirana”.
Kryeministri Rama shpjegoi gjithashtu arsyen pse fluturimi nuk u krye direkt nga Londra në Kukës: “Sipas gjithë rregullave të aviacionit ndërkombëtar çdo aeroport nga momenti kur bëhet operacional fillon si një aeroport lokal dhe ka një procedurë certifikimi për t’u bërë aeoroport ndërkombëtar e cila zgjat 50-60 ditë, dhe pasi bëhet aeroport ndërkombëtar, menjëherë do të fillojë një lëvizje që do të shkojë duke u rritur”.
Gjatë periudhës së luftës së Kosovës, kur shumë kosovarë u zhvendosën në Kukës, Princi i Kurorës të Emirateve Arabe dha një ndihmë të madhe dhe për këtë arsye Aeroporti i Kukësit mban emrin “Zayed”.
“Në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën nga shtëpitë me dhunë. Në atë kohë këtu erdhën shumë njerëz nga e gjithë bota. Midis tyre erdhi dhe dikush që sot është Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhamed bin Zayed, i cili është i biri i një prej burrave më të urtë që me mençurinë e tij arriti t’i japë jetë atyre që sot e njohin si Emiratet e Bashkuara Arabe. I ati e nisi të birin që shoqërohej nga ai që sot është Kryeministri i Dubait dhe erdhën këtu për t’u kujdesur për refugjatët e luftës. Dhe plaku i urtë kishte dhënë urdhër që urgjentisht të hapej pista. Dhe gjurma e kësaj piste është gjurma e kësaj historie solidariteti për ata që kishin nevojë në atë moment për gjithë forcën e vëllazërisë. Princi i Kurorës e kujton edhe sot që kur ai ishte këtu i ati e merrte dy herë në ditë në telefon dhe i përsëriste “të gjithë ju që jeni aty bëni kujdes në shpërndarjen e ndihmave që asnjë familje mos t’i mungojë ushqimi”,-u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Ai gjithashtu shtoi se i mungonte shumë në ato momente vëllai i tij Hashim Thaçi:“Dua të ndaj me ju që më mungon shumë sot dikush që unë e konsideroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj. Dhe jam i bindur që historia të tillë do ta konsiderojë. Më mungon shumë dikush që është një prej shqiptarëve më të mëdhenj jo se është vëllai im, por është vëllai im sepse është një prej shqiptarëve të mëdhenj, Hashim Thaçi. Prej këtu nuk e di a më ndjek por do dëshiroja t’i çoja një përqafim dhe t’i thoja se në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i historisë së shqiptarëve, kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rrugova i hapën rrugë procesit të çlirimit përfundimtar të Kosovës”./ProBizz.al/