Teknologjia dhe inteligjenca artificiale e kanë bërë aplikimin për një vend pune më të shpejtë se kurrë. Sot, një kandidat mund të dërgojë CV-në në dhjetëra pozicione brenda pak minutash. Por paradoksalisht, gjetja e një pune po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Tregu i punës në vitin 2026 po përballet me një realitet të ri. Kandidatët komunikojnë me chatbot-e, intervistohen nga sisteme të inteligjencës artificiale, refuzohen automatikisht nga algoritmet dhe, në disa raste, aplikojnë për vende pune që kompanitë nuk kanë ndërmend t’i plotësojnë në atë moment.
Në të njëjtën kohë, kompanitë përballen me një numër shumë më të madh aplikimesh. Sipas të dhënave të kompanisë së rekrutimit Ashby, rekrutuesit përpunojnë mesatarisht rreth 291 aplikime për çdo person të punësuar, krahasuar me rreth 100 aplikime në fillim të vitit 2021.
Kjo rritje lidhet edhe me përdorimin e AI nga të dyja palët. Kandidatët mund të automatizojnë aplikimet dhe të përshtatin CV-të për pozicione të ndryshme, ndërsa kompanitë përdorin chatbot-e, filtra automatikë të CV-ve dhe algoritme për të përzgjedhur kandidatët. Rezultati është një proces më efikas në letër, por shpesh më i lodhshëm dhe më pak njerëzor në praktikë.
Sipas të dhënave të Greenhouse, 46% e kandidatëve thonë se besimi i tyre te procesi i rekrutimit është ulur. Rreth 63% e aplikantëve në SHBA janë intervistuar të paktën një herë nga një sistem i inteligjencës artificiale, ndërsa 38% thonë se kanë hequr dorë nga një vend pune pikërisht sepse procesi përfshinte një intervistë me AI. Edhe vetë rekrutuesit kanë dyshime për teknologjinë që përdorin. Vetëm 21% e rekrutuesve të anketuar shprehen shumë të bindur se sistemet e tyre nuk po përjashtojnë gabimisht kandidatë të kualifikuar. Ndërkohë, plotësimi i një pozicioni të lirë kërkon sot pothuajse 25% më shumë kohë se përpara pandemisë, sipas të dhënave të cituara nga Indeed. Kjo situatë po krijon lodhje dhe mosbesim te kandidatët. Gorick Ng, këshilltar karriere në Harvard dhe pedagog në UC Berkeley, thotë se problemi ka kaluar përtej lodhjes së zakonshme nga kërkimi i një pune dhe po shndërrohet në një lloj cinizmi sistematik. Kandidatët fillojnë të mendojnë se njoftimet e punës mund të mos jenë reale, se refuzimet janë automatike dhe se intervistat e regjistruara me video mund të mos shikohen kurrë nga një person.
Problemi i “vendeve fantazmë” të punës
Një tjetër fenomen që po ndikon te besimi i kandidatëve janë të ashtuquajturat “ghost jobs”, ose vende pune të publikuara që kompanitë nuk po përpiqen aktivisht t’i plotësojnë. Sipas të dhënave të brendshme të Greenhouse, këto mund të përbëjnë rreth 18–22% të vendeve të punës të publikuara gjatë një tremujori tipik. Arsyet ndryshojnë. Disa kompani i mbajnë pozicionet të hapura për të krijuar një bazë kandidatësh për nevoja të ardhshme. Në raste të tjera, pozicionet mund të qëndrojnë të publikuara sepse nevojat e biznesit kanë ndryshuar ose sepse bëhet fjalë për role ku kompanitë kërkojnë vazhdimisht staf. Për kandidatin, megjithatë, rezultati mund të jetë i njëjtë: aplikon, pret dhe nuk merr asnjë përgjigje.
Kur CV-ja nuk arrin kurrë te një njeri
Filtrat e CV-ve të mbështetur nga inteligjenca artificiale janë një tjetër element që po ndryshon procesin e rekrutimit. Këto sisteme përdorin fjalë kyçe dhe vlerësime algoritmike për të renditur ose eliminuar aplikantët përpara se CV-ja e tyre të shihet nga një rekrutues. Problemi është se kandidatët kanë shumë pak informacion mbi mënyrën se si funksionojnë këto sisteme dhe përse mund të jenë përjashtuar nga procesi. Përdorimi i disa prej këtyre teknologjive ka ngritur gjithashtu shqetësime për diskriminimin dhe ka çuar edhe në procese gjyqësore.
Megjithatë, inteligjenca artificiale nuk shihet vetëm si problem. Rreth 49% e menaxherëve të rekrutimit thonë se përdorimi i AI në procesin e punësimit ka përmirësuar cilësinë e kandidatëve që arrijnë në fazat e mëtejshme. Sfida është se automatizimi po funksionon në të dyja anët. Kandidatët përdorin teknologjinë për të aplikuar në sa më shumë vende pune, ndërsa kompanitë përdorin teknologjinë për të filtruar një numër gjithnjë e më të madh aplikimesh.
Kështu krijohet një cikël: më shumë automatizim sjell më shumë aplikime, më shumë aplikime kërkojnë më shumë automatizim dhe kontakti njerëzor në proces bëhet gjithnjë e më i vogël. Në fund, problemi mund të mos jetë vetëm se sa efikase është teknologjia, por sa besim krijon procesi. Mënyra se si një kompani sillet me një kandidat gjatë rekrutimit mund të tregojë shumë për kulturën e saj. Nëse kontakti i parë është tërësisht automatik, pa transparencë dhe pa komunikim njerëzor, kandidatët mund të fillojnë të pyesin veten nëse kështu do të jetë edhe eksperienca e tyre si punonjës.Në epokën e AI, aplikimi për një punë mund të jetë bërë më i lehtë se kurrë. Por sfida e vërtetë po bëhet të kalosh përmes algoritmeve dhe të arrish deri te një njeri./Businessmag.al











