Shumica e amerikanëve besojnë se Kina përdor TikTok për të ndikuar tek opinioni publik në SHBA, sipas një sondazhi të Reuters ndërsa Uashingtoni po kërkon të ndalojë aplikacionin e videove të shkurtra.
Rreth 58% e të anketuarve ranë dakord se qeveria kineze përdor TikTok, për të ndikuar tek amerikanët. Rreth 13% nuk ishin dakord, dhe pjesa tjetër ishin të pasigurt ose nuk iu përgjigjën pyetjes. Republikanët më shumë sesa demokratët mendojnë se Kina përdor aplikacionin për të ndikuar në SHBA.
TikTok thotë se ka shpenzuar më shumë se 1.5 miliardë dollarë për sigurinë e të dhënave dhe nuk do të ndajë informacione për 170 milionë përdoruesit e tij amerikanë me qeverinë kineze. Kompania i tha Kongresit vitin e kaluar se “nuk promovon ose heq përmbajtje me kërkesë të qeverisë kineze”.
Presidenti Joe Biden nënshkroi javën e kaluar legjislacionin që i jep ByteDance 270 ditë për të shitur TikTok në SHBA ose do të përballet me një ndalim.
TikTok ka kundërshtuar ndalimin si një shkelje e shprehjes së lirë të parashikuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-së dhe përdoruesit e TikTok pritet të ndërmarrin përsëri veprime ligjore.
Përkthyer dhe përshtatur nga Reuters për Probizz.al