Komisioni Evropian nisi një hetim pas një ankese nga Spotify në 2019.
Gjiganti amerikan i teknologjisë Apple është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 1.8 miliardë eurosh për abuzimin me pozitën e tij dominuese në treg për shpërndarjen e aplikacioneve të transmetimit të muzikës për përdoruesit e iPhone dhe iPad, tha Komisioni Evropian.
Sipas hetimit kompania aplikoi kufizime për zhvilluesit e aplikacioneve duke i penguar ata të përdorin shërbime më të lira të abonimit muzikor jashtë aplikacionit.
“Për një dekadë, Apple abuzoi me pozicionin e saj dominues në treg për shpërndarjen e aplikacioneve të transmetimit të muzikës përmes App Store. Ata e bënë këtë duke kufizuar zhvilluesit që të informonin konsumatorët për shërbimet muzikore alternative dhe më të lira të disponueshme. Kjo është e paligjshme sipas rregullave të BE-së, kështu që sot kemi një gjobë”, deklaroi nënpresidentja e Komisionit Margarethe Vestager.
“Disa konsumatorë mund të kenë paguar më shumë – sepse nuk ishin në dijeni. Të tjerët mund të mos kenë qenë në gjendje të gjejnë alternativa. Ne i konsiderojmë ato si kushte të padrejta tregtare,” shtoi Vestager.
Në një përgjigje ndaj gjobës së sotme, Apple tha në një deklaratë se do të apelojë vendimin.
“Ne kemi ndihmuar tregjet të lulëzojnë, duke promovuar konkurrencën dhe inovacionin në çdo hap – dhe App Store është një pjesë e rëndësishme e kësaj historie. Pra, ndërsa ne respektojmë Komisionin Evropian, faktet thjesht nuk e mbështesin këtë vendim. Dhe si rezultat, Apple do të apelojë”, thuhet në njoftim.
Përkthyer dhe përshtatur nga Euronews për Probizz.al