Industria e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike kundërshton heqjen e kompensimit 6%

Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë IBMA-AMAP i ka dorëzuar kryetarit të komisionit të veprimtarisë prodhuese të tregtisë dhe mjedisit z. Arben Pëllumbi pakënaqësitë dhe propozimet për paketën e re fiskale 2022.

Lidhur me atë çfarë parashikon qeveria në bujqësi për zerimin e kompensimit, Industria e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike  ngre alarmin për pasojat që do të kishte në këtë sektor.

Siç jemi njohur në media dhe nga komunikime të drejtpërdrejta, është propozuar nga Znj. Ministre e Financave si pjesë e paketës fiskale për vitin 2022, pika e mëposhtme: “Prodhimeve të fermerëve vendas ju hiqet fare kompesimi me 6% për vitin 2022”. Ne si shoqatë jemi hasur menjëherë me pakënaqësitë që ka sjellë ky propozim në radhët e kultivuesve të bimëve mjekësore.” – thuhet në reagim.

Sipas Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë ulja nga 20% në 6% 2 vite më parë e preku negativisht industrinë, dhe heqja e kompensimit 6% do të sjellë pasoja edhe më të rënda teksa renditen ndikimet e mëvonshme:

a. Ulje të sipërfaqeve të kultivuara me bimë mjekësore, ç’ka do të thotë: më pak prodhim, më pak eksportë, më pak hyrje valute në vendin tonë.

b. Rritjen e informalitetit: pajisja me NIPT me qëllim kompensimin ka ndihmuar ndjeshëm në identifikimin e fermerëve dhe kulturave bujqësore të vendit tonë.

c. Heqja e këtij kompensimi pritet të sjellë mbylljen e Nipteve, çrregullim të sistemit të identifikimit si dhe largimin e fermerëve nga kultivimet bujqësore si pasojë e mospërballimit të kostove.

d. Ne parashikojmë hektarë e tërë tokash të lëna djerre dhe largime masive të fermerëve drejt vendeve të BE. Ka shumë toka që bimët mjekësore janë e vetmja kulturë që mund të rritet, por kostot e larta dhe heqja e kompensimit do t’i detyrojë fermerët të heqin dorë nga kultivimet e tyre.

e. Pasojat e kësaj lëvizjeje do t’i ndjejnë edhe kompanitë eksportuese dhe nivelet e eksporteve në përgjithësi. Konkurrentët në tregje për industrinë tonë vijnë nga vende si Kosova, Maqedonia e Serbia me mbështetje të madhe nga qeveritë përkatësë në bujqësi. Mungesa e lëndës së parë dhe çmimet e larta do e nxjerrin vendit tonë nga këto tregje ndërkombëtare.

f. Gjithashtu parashikojmë edhe rritjen e importeve.

Në këtë kuadër Industria e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike propozon:

 1. Të ruhet kompensimi prej 6% edhe për një vit tjetër.

 2. Ndërkohë, në bashkëpunim me shoqatat e secilit sektor të bujqësisë, të bëhet një studim më i thelluar mbi impaktin që një lëvizje e tillë ka në bujqësi dhe eksporte.

 3. Ne do të sygjeronim rritjen e kompensimit të TVSH nga 6% në 10% në mënyrë që të mbështeten drejtpërdrejt kultivuesit e bimëve mjekësore.

Ne konsiderojmë se kompensimi i TVSH është mënyra më e mirë që secili fermer të marrë drejtpërdrejt kompensimin e kostove të tij. 

Ndërkohë sipas relacionit ndryshimi i normës së kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6 për qind bëhet 0 për qind duke marrë në konsideratë rekomandimet e FMN-së.

“Ndryshimet e parashikuara në ligjin e TVSH vijnë si shkak i rekomandimeve në mënyrë të vazhdueshme të FMN-së për heqjen e të gjithë përjashtimeve dhe normave të reduktuara tatimore, si dhe përkrahjen e sektorëve prioritarë duke gjetur mënyra të tjera mbështetjeje, por pa cënuar sistemin tatimor.”- thuhet në argument.