Bukuria e çdo ambienti pune është shpeshherë shumëllojshmëria e personaliteteve dhe e stileve të punës. Por, sipas studimeve të fundit, disa tipare të personalitetit janë më të rëndësishme se të tjerat kur bëhet fjalë për marrjen e një promovimi.
Në mënyrë të veçantë, njerëzit ekstrovertë kanë më shumë gjasa që të ngjiten më shpejt në shkallët e karrierës dhe njerëzit neurotikë kanë më shumë gjasa që të qëndrojnë pikërisht aty ku janë.
Një raport i publikuar muajin e kaluar nga faqja e kërkimit për punë, Joblist, anketoi 1,011 punonjës amerikanë në lidhje me personalitetin dhe me përvojat e tyre të punës, dhe zbuloi se 25% e të anketuarve me personalitete më ekstroverte kishin marrë promovime vitin e kaluar – përqindja më e lartë e çdo grupi të personaliteteve të studiuara.
Nga ana tjetër, 30% e pjesëmarrësve me nivele të larta të neurotizmit – një term i cili i referohet njerëzve që mund të ndihen lehtësisht të mbingarkuar dhe të shprehin emocione si zemërimi, ankthi, vetëdija ose nervozizmi në punë – thanë se nuk kishin marrë kurrë një promovim. Edhe kjo ishte përqindja më e lartë e çdo grupi të personaliteteve të shqyrtuara në këtë studim.
Të anketuarve iu kërkua që të vlerësonin veten sipas “Pesëshes së Madhe” të tipareve të personalitetit: çiltërsia, ndërgjegjshmëria, ekstroversioni, pajtueshmëria dhe neuroticizmi. Këto tipare vijnë nga modeli me pesë faktorë, i cili përdoret gjerësisht nga psikologët në kohët e sotme. Raporti vuri në dukje se gjetjet e tij kanë disa “kufizime të caktuara”, sepse të dhënat bazohen në vetë-raportimin e pjesëmarrësve.
Megjithatë, shumë prej gjetjeve të tij janë intriguese. Për shembull, personaliteti juaj – ose, të paktën, vlerësimi juaj i personalitetit – mund të ndikojë në pagën tuaj vjetore. Ata që vetë-identifikoheshin si të ndërgjegjshëm kishin më shumë gjasa të fitonin të paktën 75,000 dollarë në vit, ndërsa “njerëzit shumë neurotikë” kishin më shumë gjasa të fitonin 34,999 dollarë ose më pak në vit.
Njerëzit neurotikë kishin gjithashtu më pak gjasa që të mbanin poste të larta apo pozicione drejtuese. “Kjo mund të vijë për shkak të faktit se ky tipar i personalitetit lidhet me një ndjeshmëri më të lartë ndaj emocioneve negative, nervozizmit dhe pakënaqësisë së përgjithshme, duke e bërë kështu të pamundur për personat me këtë lloj personaliteti që të jenë udhëheqës të mirë”, shkruajtën autorët e raportit.
Sondazhi madje zbuloi edhe disa lidhje midis tipareve të personalitetit dhe zgjedhjeve përmbushëse në karrierë: 83% e të anketuarve që e vlerësuan veten e tyre më mirë në cilësinë e pajtueshmërisë, thanë se puna e tyre përputhej me drejtimin që syonin për karrierën e tyre, ndërsa 70% e njerëzve neurotikë thanë se puna e tyre nuk ishte e tillë.
Ndoshta për këtë arsye, nuk është për t’u habitur fakti që grupi i personave neurotik përfshinte shumicën e njerëzve që kishin lënë të paktën një punë gjatë dy viteve të kaluara, si dhe shumicën e atyre që synonin të kërkonin për një punë të re në tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm. “Individët shumë neurotikë në përgjithësi performojnë më mirë në mjedise që ofrojnë siguri dhe mundësinë për të shprehur hapur veten,” vuri në dukje raporti, duke sugjeruar fusha të tilla si “të shkruarit, arti dhe dizajni” si ideale për këta persona.
Rezultatet e larta në disa tipare të tjera të personalitetit ishin gjithashtu tregues të sjelljeve të ndryshme në vendin e punës: Njerëzit që vetë-identifikoheshin si shumë të hapur, për shembull, ishin “më të prirur për të pasur më pak kënaqësi në punë, si dhe për probleme me ekuilibrin punë-jetë dhe me shëndetin mendor, për shkak të tendencës së tyre për të përjetuar nivele më të larta të ndjeshmërisë emocionale krahasuar me llojet e tjera të personalitetit”, sipas autorëve të raportit.
Raporti e përkufizoi ҫiltërsinë si “kreative, imagjinative dhe aventureske”, duke vënë në dukje se njerëzit me nivele të larta të këtij tipari të personalitetit shpesh kanë një “prirje për të marrë vendime bazuar më tepër te ndjesitë e tyre sesa te logjika”.
Burimi: CNBC