Lira Pipa është emëruar në postin e zv/ministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Pas vendimit të qeverisë ka reaguar edhe ministri Blendi Gonxhja duke vlerësuar karrierën e pasur të saj dhe specializimit në fushën ekonomike dhe të marketingut .
“Kam privilegjin të prezantoj bashkëpunëtoren time shumëvjeçare, që prej APR, krahun tim të djathtë në DPSHTRR, e palodhur në shërbim të së mirës publike dhe interesit të vendit, nga sot zv. Ministër në Ministrinë e re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa”, shkroi Gonxhja në rrjete sociale.
Më tej Gonxhja tha “ përgjatë veprimtarisë së saj në DPSHTRR, prej vitit 2019 është angazhuar në organizimin e nismave të shumta edukative mbi sigurinë rrugore, projektin risi RETRO për rijetëzimin e koleksionit të mjeteve historike shqiptare duke e kthyer në një lëvizje kulturore të njohur ndërkombëtarisht, organizimin e dy edicioneve të suksesshme të Automotive Fair Albania I dhe II – panairit më të madh automotiv në Shqipëri, programet menaxheriale për burimet njerëzore, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve përmes komunikimit e marketingut digjital si një qasje inovatore e administratës publike, duke dhënë një kontribut të çmuar në transformimin e imazhit të DPSHTRR, sot një institucion model dhe shembull suksesi e transparence”.