Ndikimi i pandemisë në tregun e punës, statistikat nga INSTAT

Viti 2020 shënoi një rritje të papunësisë për shkak të pasojave që pati pandemia e Covid-19 në aktivitetet ekonomike. Ndërkohë paga mesatare vazhdoi të rritet. Instituti i Statistikave publikoi raportin mbi tregun e punës 2020.

Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2020, numri i personave në forcën e punës është 1.407.934 persona. Femrat përbëjnë 44,6% të forcës së punës dhe meshkujt 55,4%. Të punësuar janë 1.243.345 persona, ku femrat përbëjnë 44,5% të të punësuarve dhe meshkujt 55,5%. Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 164.613 persona, ndër të cilët 45,5% janë femra dhe 54,5% janë meshkuj.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 69,1%. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,9 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,6%.

Shkalla e punësimit për femrat është 53,6% dhe për meshkujt 67,8%. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 14,2 pikë përqindje në favor të meshkujve.

Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 43,4 % dhe 36,1 % të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2020, rezulton se 46,1 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 33,3 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,6 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Shkalla zyrtare e papunësisë në vitin 2020, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,7 % dhe shënon një rritje me 0,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,4 pikë përqindje më e ulët sesa për femrat. Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 26,5 % (27,0 % për meshkujt dhe 25,9 % për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë me 0,7 pikë përqindje.

Në vitin 2020, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 27,9 % të të rinjve gjithsej.

Në grupin e të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 35,1% klasifikohen si të papunë. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë ose të dekurajuar (15,2 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (16,6 %), ose për arsye të tjera (33,1 %).

Qarqet

Një analizë mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2020, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Gjirokastra (69,0 %) dhe Korça (61,1 %). Ndërsa qarqet me shkallë punësimi më të ulët janë qarku i Lezhës (33,7 %) dhe i Dibrës (44,7 %). Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë qarku i Lezhës me 22,2 % dhe i Vlorës me 16,6 %.

Në vitin 2020, në qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël të punësimit gjithsej (7,3 %). Pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve (66,3 %) dhe një peshë të konsiderueshme zë edhe industria (26,3 %).

Pagat në rritje

Në vitin 2020, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 53.662 lekë. Krahasuar me vitin 2019, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 2,4 %.

Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: Aktivitetet Financiare dhe të sigurimit, Informacioni dhe komunikacioni, Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale.

Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë: Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor; dhe Bujqësia, Silvikultura dhe Peshkimi.

Hendeku gjinor në paga është 6,6 %. Hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve që janë të punësuar në ndërmarrjet ekonomike që i përkasin grup-aktivitetit ekonomik “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, ku arrin vlerën 31,9 %.

Gjatë vitit 2020, 26,2% e kontribuesve në kategorinë e të punësuave me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare. Për vitin 2020, paga minimale zyrtare është 26.000 lekë.

Në vitin 2020, grup-profesionet më të paguara janë: Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët dhe specialistët në zbatim. Ndërsa grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit; punëtorët e profesioneve elementare; dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to.

Të Fundit

spot_img
Veza Rea'sspot_img