Protestat qytetare që po zhvillohen prej 15 ditësh në kryeqytet, me tubime që nisin në orët e pasdites dhe vazhdojnë deri në orët e vona të natës, po sjellin pasoja të drejtpërdrejta edhe për transportin publik urban.
Ndërsa bllokimet e rrugëve dhe devijimet e vazhdueshme të itinerareve kanë vështirësuar qarkullimin e autobusëve, në të njëjtën kohë është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të pasagjerëve, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.
Punonjës të transportit urban tregojnë se situata është e pazakontë. Sipas një faturinoje të linjës Qendër–Porcelan, për herë të parë në më shumë se dy dekada shërbimi është regjistruar një fluks kaq i lartë udhëtarësh në orët 22:00 dhe 23:00.
“Prej 20 vitesh në transportin publik nuk kishte ndodhur asnjëherë një frekuentim kaq i lartë pasagjerësh në këto orare. Rritja lidhet drejtpërdrejt me protestat”, shprehet ai.
Megjithatë, shtimi i pasagjerëve nuk përkthehet automatikisht në më shumë të ardhura për operatorët. Përkundrazi, kompanitë e transportit paralajmërojnë se mund të përballen me humbje financiare për shkak të mënyrës sesi llogaritet kompensimi që përfitojnë nga Bashkia e Tiranës.
Aktualisht, kompensimi për performancën e operatorëve bazohet në kilometrat e realizuar gjatë shërbimit. Sa më pak kilometra të përshkruhen, aq më i ulët është niveli i kompensimit.
Sipas Kostandin Fonit, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, operatorët përfitojnë kompensim sipas përqindjes së realizimit të itinerareve të planifikuara.
Konkretisht, nëse realizohen nga 94 deri në 96 për qind e kilometrave të përcaktuar, operatorët përfitojnë 0.9 lekë kompensim për çdo biletë të shitur. Kur realizimi varion nga 92 deri në 94 për qind, kompensimi zbret në 0.8 lekë për biletë, ndërsa për realizim nga 90 deri në 92 për qind kompensimi është 0.7 lekë për biletë.
Për shkak të protestave, shumë akse kryesore të Tiranës janë bllokuar në mënyrë të përsëritur, duke detyruar linja të ndryshme, si Unaza e Vogël, Tirana e Re, TEG, Kristal dhe të tjera, të ndryshojnë itineraret e tyre.
Në këto kushte, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar që kilometrat e parealizuara për shkak të protestave të konsiderohen si kilometra të realizuara për efekt të vlerësimit të performancës.
Në letrën drejtuar bashkisë thuhet se protestat kanë sjellë bllokime dhe devijime të vazhdueshme të rrugëve kryesore, duke e bërë të pamundur për operatorët realizimin e plotë të itinerareve të parashikuara në kontrata.












