Qeveria dhe biznesi rritën borxhet e energjisë në 2021-in, familjarët i ulën

Familjarët janë grupi i vetëm ndër katër të marrë në vlerësim që edhe gjatë vitit 2021 kanë vijuar të ulin borxhin që kanë ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë.

Të dhënat zyrtare për ecurinë e sektorit në vitin që lamë pas tregojnë për një rritje të stokut të detyrimeve të prapambetura me rreth 3.7 për qind në raport me fundin e vitit 2020.

Ky stok shënonte në fund të dhjetorit 2021 një vlerë mbi 78 miliardë lekë (637 milionë euro) ndërkohë që në 2020 ishte 75. 6 miliardë lekë. Qysh nga nisja e mbajtjes së këtij bilanci kjo është vlera më e madhe që ka arritur ndonjëherë stoku i detyrimeve të prapambetura.

Por cilat janë në fakt kategoritë që kanë rritur stokun dhe kontributi i secilës në këtë rezultat?

Mbajtësit e shumicës së këtij stoku janë kategoria e familjarëve por që prej vitit 2014 kanë vazhduar të kenë një ulje të qëndrueshme por modeste kjo edhe si rezultat i aktmarrëveshjeve në fuqi të cilat kanë janë disavjeçare. Në fund të vitit 2021 stoku për familjarët ishte 46.5 miliardë lekë apo 0.5 për qind më pak sesa në fund të vitit paraardhës.

Nga ana tjetër insitucionet jo buxhetore që janë kryesisht shkollat, spitalet, ndërmarrjet e ndriçimit të qytetit e një sërë institucionesh të tjera kanë çuar stokun në 15.7 miliardë lekë apo me një rritje 15.4 për qind në raport me fundin e vitit 2020.

Grupi tjetër ku janë institucionet buxhetore kanë pasur gjithashtu rritje të stokut me rreth 600 milionë lekë. Në fund të vitit 2021 ky stok detyrimesh karshi kompanisë së shpërndarjes së energjisë arriti 4.7 miliardë lekë.

Kategoria tjetër që ka pasur rritje të detyrimeve të energjisë ka qenë ajo private ku bëjnë pjesë bizneset. Këta të fundit kanë rritur gjithashtu stokun e detyrimeve ku sipas të dhënave deri në fund të dhjetorit 2021 niveli i regjistruar ishte 11.3 miliardë lekë. Rritja në raport me një vit më parë ishte me gati 300 milionë lekë apo 2.6 për qind.

Burimi: Revista Monitor