Arbi Bamllari, me kompaninë e tij SKAITECH dhe pasionin e madh për teknologjinë arriti të projektojë dronin e parë shqiptar. Renditi vendin tonë në hartën globale të kompanive më të mira të dronëve në botë dhe sot numëron mbi 40 partnerë nga i gjithë globi. Në një intervistë për Probizz.al sipërmarrësi Bamllari tregon se ngriti edhe kompaninë e printerave 3D, 3DSKAI pikërisht nga projekti i dronit të parë Shqiptar. Të gjitha këto risi për të ndihmuar bizneset që të kenë akoma më shumë sukses dhe të avancojnë paralelisht më zhvillimet më të fundit teknologjike të kompanisë së parë të dronëve, SKAITECH dhe kompanisë së parë të printimeve 3D, 3DSKAI.
Kur e morët iniciativën për të nisur sipërmarrjen tuaj SKAITECH dhe a ka ecur sipas pritshmërive tuaja deri tani?
SKAITECH nisi në vitin 2020. Në biznes ka plot parashikime optimiste apo pesimiste përsa i përket pritshmërive, të ardhurave, arritjeve, sukseseve e objektivave. Duke qenë se kemi pritshmëri të larta mendoj se është në rrugën e duhur dhe ka arritur disa suksese, ku një nga kryesoret është krijimi i një skuadrë shumë të mirë. Arritje të tjera janë fitimi i disa çmimeve apo konkurseve kombëtare e mbarëkombëtare, si dhe krijimi i produkteve SKAITECH Cloud apo SKAITECH SQ-1, dronit të parë shqiptar.
Sa funksione kryen droni i parë shqiptar?
Droni që SKAITECH po prodhon, do përdoret për qëllime të survejancës, sigurisë publike dhe misione kërkim-shpëtimi.
SQ-1 është i pajisur me dy kamera një 4K dhe një termike, sensore shmangiesh pengesash nga të gjitha drejtimet, autonomi, inteligjence artificiale, komunikim 4G përveç WIFI, enkriptim të dhënash, ka një kohë fluturimi mbi 40 minuta dhe distancë fluturimi mbi 15 km. Është i palosshëm dhe me materiale të forta, por të lehta si najlon dhe fibra karboni, dhe do peshojë nga 1.5 – 2 kg.
A ka arritur SKAITECH që më këtë produkt të fusë Shqipërinë në hartën globale të vendeve teknologjike?
SKAITECH është kompania e parë dhe e vetme Shqiptare që ka arritur ta fusë veten dhe Shqipërinë në harten globale të kompanive më të mira të dronëve në botë sipas Drone Industry Insights:
https://www.linkedin.com/pulse/drone-market-environment-map-drone-industry-insights%3FtrackingId=2xXj3HxiTWqQ%252FXKjWM5zTw%253D%253D/?trackingId=9Jb%2BYN62Q7yTdWq%2BhyjJcw%3D%3D
Jo vetëm kaq, por ne kemi mbi 40 partnerë nga e gjithë bota nga Kina në Amerikë, Europë e Lindjen e Mesme. Po ashtu kemi dhe klientë të huaj jo vetëm në tregun tonë.
Sa ndryshime ka sjellë tek bizneset, institucionet, konsumatorët ky revolucion teknologjik?
Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë zgjidhje inovative dhe me ndikim për bizneset në një gamë të gjerë industrish, duke përfshirë infrastrukturën, energjinë, bujqësinë, sigurinë dhe mbrojtjen. SKAITECH ndihmon bizneset të kursejnë kohë, kosto, dhe të krijojnë eficensë në vendimarrje operacionale, ndërkohë që ofron të dhëna të cilat sigurojnë edhe suksesin tregtar.
Çfarë ka të veçantë teknologjia (robotika, inxhineria , inteligjenca artificiale) ndryshe nga fushat e tjera ?
Këto teknologji: robotika, AI, IoT, XR dhe 3D Printing, janë teknologjitë kryesore që ne përdorim të SKAITECH dhe 3DSKAI. Ato kanë natyrë ndërdisiplinore pasi kanë aplikime dhe integrime në fusha të ndryshme duke përdorur informacione dhe kërkojnë njohuri nga disiplina të ndryshme si shkenca kompjuterike, matematika, fizika, inxhinieria, psikologjia, neuroshkenca dhe madje edhe filozofia. Ato janë komplekse e përfshijnë pjesën softuerike dhe harduerike, shpesh kanë ndërveprim ose emulojnë apo automatizojnë procese njerëzore. Mbi të gjitha ato kanë ritmin më të shpejtë në avancimin e teknologjive pasi janë krijuar për tu përshtatur dhe mësuar nga të dhënat apo përvojat.
Si e sheh të ardhmen e tyre?
Aplikimi i tyre ka filluar prej kohësh në pjesën e mbrojtjes dhe tashmë dhe në industri të ndryshme ku ka nevojë për automatizime, ndaj dhe ne morëm shkas ti sjellim në vendin tonë që Shqipëria të ecë paralelisht me botën. Do të ketë edhe mjaft polemika me të drejtë, lidhur me sfidat rregullatore dhe impaktin në shoqëri qoftë lidhur me sigurinë apo privatësinë. Kjo për shkak se teknologjia dhe industria gjithnjë do ecë më shpejt se institucionet rregullatore. Sigurisht kjo nuk do ndodhë për pak kohë, por gradualisht, edhe pse avancimi i saj është me ritme të shpejta. Fjala kyçe është edukim i të gjithë brezave lidhur me teknologjinë, risqet dhe përdorimin e saj. Duke marre shkas nga filmat fantashkencë kur unë isha i vogël, e tashmë janë realitet, mendoj që disa nga filmat utopike/distopike portretizojne ku do shkojë teknologjia sidomos robotika dhe AI. I mbani mend telefonat që përdornim 10-15 vite më parë? …
Ju menaxhoni edhe kompaninë e parë të printimeve 3D në Shqipëri. Çfarë lidhje kanë me njera –tjetrën dy bizneset?
Po, 3DSKAI është kompania e parë e printerave 3D në Shqipëri. Ajo ofron shërbime dhe zgjidhje me anë të printimeve 3D, skanimeve 3D, modelimit 3D, sëshpejti dhe teknologjisë lazer për prerje/gdhendje. Kompania lindi nga projekti i dronit të parë Shqiptar, kur ne blemë printerin e parë 3D, nga Raise3D, për shkak të nevojës së printimit të pjesëve të personalizuara të prototipit të dronit. Printimi 3D është e vetmja teknologji prodhimi, e njohur si additive manufacturing, që të lejon të prodhosh pjesë plastike, apo kompozite, tashmë është mundësia të printohet edhe me fibra karboni, metal, argjile, në mënyrë të përsëritur, kur kryhen ndryshime të shpejta apo përmirësime në një objekt apo projekt, me kostot më të ulëta. Më pas, u blenë dhe disa printera të tjerë 3D, të teknologjive të ndryshme, dhe ideja për ta sjellë si teknologji ka lindur që me SKAITECH, por momenti i duhur ishte para 2 vitesh, kur krijuam dhe skuadrën, dhe tashmë kemi një fermë të vogël printimi 3D, të parën në Shqipëri, që ofron teknologji si FDM, SLA, SLS dhe përmasa të ndryshme printimi.
3DSKAI dhe SKAITECH punojnë bashkë për projekte të ndryshme dhe ndajnë hapësirat teknologjike si workshopi teknologjik.
A presim një produkt të ardhshëm “Prodhuar në Shqipëri” sa i përket teknologjisë ?
Ne jemi një skuadër inxhinierësh, shkencëtarësh, zhvilluesish, inovatorësh dhe endërruesish, por mbi të gjitha ne po definojmë çfare do të thotë “Prodhuar në Shqipëri”.
Ndaj gjithnje jemi duke menduar për produkte të reja teknologjike, pasi qëllimi ynë nuk është të ofrojmë vetëm shërbime dhe zgjidhje me atë të dronëve, AI dhe printimit 3D, por të krijojmë produkte.
Te SKAITECH deri tani kemi ndërtuar:
SKAITECH Cloud, një platformë online fotogrametrie për të dhënat e dronëve, hartat 2D/3D dhe matjet online.
Dronin e parë shqiptar, SQ-1.
Autopilotin SKAITECH për dronë.
Inteligjencën tonë artificiale për detektim objektesh në kohë reale apo post procesim për dronë apo satelitë.
Po punohet për dronë të tjerë për qëllime të tjera, si dhe për përmirësimin e inteligjencës tonë artificiale.
Te 3DSKAI kemi ndërtuar:
Platformën Cloud për printim 3D online nga çdo vend, duke vizualizuar produktin që ju keni dizenjuar dhe porositur sipas kërkesës.
Produkte 3D të ndryshme, që janë realizuar nëpërmjet modelimit dhe printimit 3D. Shembuj janë: orë që funksionon me dritën e diellit, llampa, vazo, shapka plazhi, mbrojtëse telefoni, syze dielli, pjesë makine, robotësh etj. Tashmë po punojmë të krijojmë produkte të patentuara 3D të cilat do mund të shiten si marka më vete.
Gjithashtu po punohet apo ideohet të krijojmë produkte për printerat ose skanerat 3D.
SKAITECH:
+355676035736
Adresa: Rruga Milto Tutulani, Tirana 1019
3DSKAI:
+355694888922
Adresa: Rruga Milto Tutulani, Tirana 1019