Analizë nga Eksperti kontabël dhe konsulenti për biznesin, Z.Julian Saraçi
Rritja dramatike e pabarazisë ekonomike globale është një sinjal alarmi për të gjithë, veçanërisht për ata që merren me hartimin e politikave fiskale. Raporti i fundit i Oxfam për vitin 2024 thekson një realitet shqetësues, që pasuria e miliarderëve është rritur me një ritëm të paimagjinueshëm, ndërsa shtresa e mesme dhe ajo e ulët po përballen me barrë të rëndë fiskale që dëmton aftësinë e tyre për të mbajtur një standard jetese të qëndrueshëm. Ky fenomen nuk është vetëm një problem social, por gjithashtu pengon rritjen ekonomike afatgjatë.
Një nga konceptet që shpesh nënvlerësohet në diskutimet për politikat fiskale është ekonomia e ofertës (supply-side economics). Ekonomia e ofertës mbështetet në idenë se ulja e barrës fiskale dhe krijimi i stimujve për prodhimin dhe investimet është rruga drejt rritjes ekonomike. Ky model nuk nënkupton që ne jemi duke favorizuar biznesin e madh apo individët e pasur, përkundrazi. Ne e kuptojmë që bizneset dhe individët e pasur luajnë një rol kritik në krijimin e vendeve të punës, inovacionin dhe investimet.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne do bëjmë politika fiskale klienteliste për nje grup të caktuar, për një industri të caktuar duke e zhvendosur barrën mbi shtresën e mesme. Politikat fiskale shpesh krijojnë pabarazi, sepse bazohen në përjashtime të padrejta dhe jo proporcionale që favorizojnë korporatat e mëdha dhe individët e pasur, duke zhvendosur barrën mbi shtresat e mesme dhe të ulëta.
Në këtë kontekst, çështja nuk është pasuria e miliarderëve, por mungesa e një sistemi fiskal që përfaqëson të gjithë dhe që shpërndan barrën tatimore në mënyrë të drejtë. Raporti i OECD-së (2022) thekson se një sistem tatimor i drejtë dhe i balancuar jo vetëm që zvogëlon pabarazinë ekonomike, por gjithashtu krijon kushte më të mira për rritje të qëndrueshme dhe inovacion afatgjatë.
Në vijim të argumentit më sipër, një nga parimet që duhet të udhëheqë bërjen e politikave fiskale është Kurba e Laffer-it. Ky model thekson se ka një pikë optimale të taksimit, ku qeveria maksimizon të ardhurat pa dekurajuar bizneset dhe individët që të investojnë dhe të prodhojnë. Taksa të larta të tepruara mund të ulin bazën tatimore, ndërsa taksa të ulëta në mënyrë të paarsyeshme dëmtojnë të ardhurat e qeverisë dhe aftësinë e saj për të ofruar shërbime publike. Ky koncept tregon qartë se ne nuk jemi kundër të pasurve ose korporatave, por për një sistem që balancohet në favor të rritjes së gjithë ekonomisë dhe jo vetëm në favor të një grupi specifik. Çdo sistem që dështon të respektojë parimet e Laffer-it do të rezultojë në një ekonomi joefikase, të ngadaltë dhe të padrejtë.
Për ta mbyllur, taksimi i drejtë, i ndershëm dhe me përfaqësim nuk është thjesht një zgjedhje, por e vetmja zgjidhje e mundshme për të nxitur rritjen ekonomike. Politikat fiskale kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi shtresën e mesme, e cila shërben si motori kryesor i konsumit. Si një shtyllë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe rritjes, shtresa e mesme luan një rol thelbësor në ruajtjen e kërkesës, rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe zbutjen e konflikteve sociale.
Politikat që rrisin barrën tatimore në mënyrë të padrejtë për këtë grup dëmtojnë fuqinë e tyre blerëse dhe standardin e jetesës, duke shkaktuar një efekt zinxhir që ndikon negativisht mbi të gjithë ekonominë. Sipas raportit të Bankës Botërore (2023), ulja e barrës fiskale për shtresën e mesme dhe përmirësimi i politikave të taksimit ka treguar një lidhje të drejtpërdrejtë me rritjen e konsumit dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik në vendet me ekonomi të mesme siç është rasti i Shqipërisë.












