Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 12–mujore (Janar – Dhjetor 2022) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.
Të ardhurat totale për 12 – mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 98 % të planit të 12 – mujorit.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për vitin 2022, arritën në rreth 651 miliard LEK me një realizim në 97.6 përqind të planit vjetor të ndryshuar përmes Aktit Normativ nr.19, datë 29.12.2022 (AN nr.19). Krahasuar me vitin 2021 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 9.2 përqind më të larta ose rreth 55.05 miliard LEK më shumë.
Niveli i defiçitit për periudhën 12 – mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 78 miliard LEK nga rreth 83.6 miliard lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 85 miliard LEK.
Performanca Paraprake 12-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve
Të ardhurat
Të ardhurat totale për 12 – mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 572.7 miliardë Lekë ose 98 % të planit të 12 – mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me +62 miliard lekë ose +12% më shumë.
Grafiku 1: Të ardhurat e Përgjithshme (në milionë Lekë)
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 509.4 miliardë lekë, 65 miliardë ose 14.6% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 5.8 miliardë ose 1.1% më pak se plani 12-mujor për vitin 2022.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 223.1 miliardë lekë, 30.2 miliardë lekë ose 15.7% më shumë se 12 mujori 2021, si dhe 411 milionë lekë ose 0.2 % më pak se plani i të ardhurave doganore për 12 mujorin e vitit 2022.
Të ardhurat nga TVSH në import për 12 mujorin rezultojnë 156.9 miliardë lekë, 25.6 miliardë lekë ose 19.5 % më shumë se një vit më parë, si dhe 1.4 miliardë ose 0.9% më shumë se plani për 12 mujorin 2022.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 53.6 miliardë lekë, 1.9 miliardë lekë ose 3.7% më shumë se viti 2021, si dhe 1.5 miliardë lekë ose 2.6% më pak se plani i akcizës për 12 mujorin 2022.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 4.2 miliardë lekë, 1.8 miliardë ose 71.7% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 93.3% kundrejt planit për 12 mujorin 2022.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 8.4 miliardë lekë, 990 milionë lekë ose 13.3 % më shumë se 12 mujori 2021, si dhe realizim në masën 99.4 % kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 12 mujorin 2022 u realizuan në masën 286.3 miliardë lekë, 34.8 miliardë ose 13.8% më shumë se 12 mujori i vitit të kaluar, si dhe 5.4 miliardë lekë, ose 1.8% më pak se plani i 12 mujorit 2022.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 34.5 miliardë lekë, 4.3 miliardë ose 14.2% më shumë se 12 mujori 2021, si dhe 3 miliardë ose 8% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 12 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 12 mujore 2022 janë 22.5 miliardë lekë, 1.6 miliardë lekë ose 6.7% më pak se 12 mujori 2021, si dhe 4 miliardë lekë ose 21.5% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 12 mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 47.7 miliardë lekë 12.1 miliardë lekë, ose 33.9% më shumë se 12 mujori 2021, si dhe 1.7 miliardë lekë më shumë ose realizim 103.7 % e planit të vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 45 miliardë lekë, 5.7 milardë lekë ose 14.4% më shumë se 12 mujori 2021, si dhe 2 miliard ose 4.3% më pak se plani i 12 mujorit 2022.
Taksat nacionale, për peridhën 12 mujore 2022 u realizuan në masën 40.6 miliardë lekë, 547 milionë lekë ose 1.4% më shumë se 12 mujori 2021, si dhe 3.4 miliardë lekë ose 7.7% më pak se plani i përcaktuar për 12 mujorin 2022.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 118.5 miliardë lekë, 12.2 miliardë lekë ose 11.5% më shumë se 12 mujori 2021, si dhe realizim 101.1 % të planit për 12 mujorin 2022.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për vitin 2022, arritën në rreth 651 miliard LEK me një realizim në masën 102.1 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 97.6 përqind të planit vjetor të ndryshuar përmes Aktit Normativ nr.19, datë 29.12.2022 (AN nr.19). Krahasuar me vitin 2021 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 9.2 përqind më të larta ose rreth 55.05 miliard LEK më shumë.
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për vitin 2022, kanë shënuar një realizim respektivisht: 98.5 përqind dhe 93.9 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar, po ashtu 100.3 përqind dhe 93.4 përqind të planit vjetor sipas AN nr.19 dhe 96.4 përqind dhe 93.4 përqind të planit vjetor me ndryshime.
Shpenzimet korente për vitin 2022 rezultuan në rreth 500 miliard LEK, ndërsa krahasuar me vitin 2021, ky zë ka rezultuar 8.4 përqind më i lartë ose rreth 38.9 miliard LEK më shumë.
Shpenzimet kapitale për vitin 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 112.1 miliard LEK. Krahasuar me vitin 2021, ky zë rezulton 12.2 përqind më i ulët ose rreth 15.6 miliard LEK më pak.
Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)
Niveli i defiçitit për vitin 2022 rezultoi në rreth 78.2 miliard LEK ose 77.5 përqind e planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 93.3 përqind e planit vjetor të ndryshuar përmes AN nr.19. Krahasuar me vitin 2021, niveli i deficitit është ulur me 8.4 përqind.
Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt (në milion Lekë)