Në takimin vjetor me Prodhuesit shqiptarë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj deklaroi se përmes strategjive të saj qeveria po synon të shkojë drejt zhvillimit të një industrie prodhuese me fuqi më të lartë eksportuese.
“Për ne promovimi i markës “Made in Albania” dhe nxitja e prodhimit vendas janë të rëndësishme për zhvillimin e konkurrueshmërisë dhe arritjen e tregjeve rajonale e europiane”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo tha se politikat qeveritare janë në drejtim të lehtësimit të procedurave për biznesin, nxitjes së digjitalizimit, inovacionit, nxitjes së ekonomisë qarkulluese.
“Sfidat që kaluam dhe po kalojmë na treguan se mund të ndeshemi me të panjohura të mëdha, me pasiguri të larta, por duhet të dimë si të reagojmë dhe mbi të gjitha të mbrojmë prodhimin vendas. Është një mision i vështirë, por jo i pamundur. Ndaj po punojmë në drejtim të lehtësimit të procedurave, nxitjes së digjitalizimit, inovacionit, nxitjes së ekonomisë qarkulluese, nxitjes drejt integrimit rajonal dhe europian”, tha ministrja .
Qeveria ka hartuar projektligjet për TEDA-t dhe Parqet Teknologjike, që sipas saj, kanë si qëllim nxitjen e aktiviteteve novatore e prodhuese, me fokus jo vetëm tregun lokal, por edhe të eksporteve.