Industria e ndërtimit në Shqipëri ka përjetuar një rritje të ndjeshme dhe zhvillim të shpejtë në vitet e fundit.
Industria ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit dhe ka kontribuar në rritjen e punësimit dhe të ardhurave të shtetit.
Ky sektor është kryefjala e panairit që u çel sot në Expocity Albania.
Expocity Albania ka sjellë edicionin e katërt të panairit të ndërtimit “Build & Live Smart Expo 2023”.
Panairi do të qëndrojë i hapur nga data 25-27 tetor. Ky event është një platformë e rëndësishme për të prezantuar inovacionet dhe zhvillimet e fundit në industrinë e ndërtimit në Shqipëri.
Në këtë panair janë të pranishëm ndërtuesit, arkitektët, inxhinierët dhe kompanitë e tjera të lidhura me sektorin e ndërtimit. Ata kanë mundësi të prezantojnë projektet e tyre të fundit, teknologjitë e avancuara dhe produktet e reja në tregun e ndërtimit.
Ndërtimi Smart është një revolucion në këtë sektor. Në një kohë që kjo industri është gjithmonë në rritje dhe në zhvillim në Shqipëri, ndërtimi i “zgjuar” është gjithmonë e më i rëndësishëm.
Përdorimi i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale ka ndryshuar mënyrën se si ndërtohet dhe jetojmë në shtëpitë tona.
Kjo teknologji e re sjell përparim në efikasitetin e ndërtimit, kontrollin e shtëpisë dhe përdorimin e energjisë.
Drejtor i Institutit të Ndërtimit, z.Artan Shkreli, kërkoi që fokusi kryesor për këtë vit të jenë qytetet “inteligjente”.
“Duhen stimuluar risitë si xhamat fotovoltaikë me elemente të teknologjisë së lartë për izolimin e banesave.
Është e rekomandueshme jo vetëm për shtëpitë, por edhe ndërtesat institucionale.
Nëse ne vjet folëm vetëm për shtëpitë inteligjente, te ky panair duhet të flasim për qytetet inteligjente që lidhen në mënyrë eksponenciale”, – theksoi Shkreli.
Z. Shkreli e vuri theksin në përmirësimin e legjislacionit në mënyrë që të arrihet urbanizimi për qytetet inteligjente.
Ai shtoi se duhet një përmirësim i legjislacionit, për të arritur këtë, pasi nëse kjo realizohet qyteti fillon merr formë vetë si inteligjent.
Përmbytjet zjarret dhe valët sizmike duhet të jenë problemet kryesore që duhen administruar. Këto probleme janë të adresuar nga sistemet inteligjente në një qytet “smart”.
Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Eduard Shalsi, e vuri theksin te bashkëpunimi midis aktorëve kryesorë të tregut për zgjidhjen e sfidave kryesore. “Ka disa sfida gjatë këtij bumi të ndërtimeve.
Ne duhet të bëjmë bashkë disa aktorë që të përfshijnë sipërmarrjen, universitetet dhe institutet për t’i zgjidhur ato. Në panaire të tilla duhet të ftoheshin universitetet që të kuptohet rëndësia e tyre në zgjidhjen e sfidave”.
Z.Shalsi shtoi se janë shumë nisma që kanë marrë mbështetje pasi i janë drejtuar Komisionit të Ekonomisë, kryesisht ato për fotovoltaikët. “Ne bëjmë ligje falë konsultimeve dhe debateve me aktorët më të rëndësishëm dhe kemi arritur disa zgjidhje”.
Drejtoresha ekzekutive e Expocity, Aulona Hoxha, theksoi rëndësinë e risive në arritjet e standardeve Europiane. “Ndërtimi po synohet për standardet Europiane, dhe janë këto risi që ne jemi duke prezantuar në këtë panair që i mundësojnë këto standarde”.
Sipas znj. Hoxha ky panair ashtu si edhe të tjerat në Expocity po bëhet gjithnjë e më shumë ndërkombëtar.
“Në këtë panair ne kemi përfaqësues nga Çekia, Gjermania, Italia Kosova etj.
Janë pikërisht këta përfaqësues që e bëjnë këtë panair ndërkombëtar” -tha znj. Hoxha
Në këtë panair janë të pranishëm ndërtuesit, arkitektët, inxhinierët dhe kompanitë e tjera të lidhura me sektorin e ndërtimit. Ata kanë mundësi të prezantojnë projektet e tyre të fundit, teknologjitë e avancuara dhe produktet e reja në tregun e ndërtimit.
Një nga fokuset kryesore të panairit është ndërtimi “Smart” , ku do të prezantohen teknologjitë dhe zgjidhjet e Inteligjencës Artificiale në ndërtim, si përdorimi i robotëve dhe makinave të avancuara për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e ndërtimit.
Do të diskutohet gjithashtu për përdorimin e teknologjisë së lidhur me internetin e gjërave (IoT) për të krijuar shtëpi inteligjente dhe të qëndrueshme.
Burimi: Monitor.al