Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është iniciuar si një nga masat e parashikuara në Projektin Rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, dhe është transformuar tashmë në një nga prioritetet kombëtare në kuadër të përmbushjes së Planit të Ri të rritjes së Bashkimit Evropian.
“Thjeshtësia, komoditeti dhe efikasiteti janë tre nga përfitimet kryesore të këtij anëtarësimi për konsumatorët dhe bizneset. Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas. Përfitimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte etj. Projeksionet janë që në afatmesëm ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA”, tha guvernatori Gent Sejko në një aktivitet të organizuar nga Banka e Shqipërisë.
Nga pikëpamja integruese e vendit, anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA garanton trajtimin e shtetasve shqiptarë në mënyrë të njëtrajtshme me ata evropianë në fushën e pagesave.
Sipas Sejkos bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrit kombëtar të llogarive rezulton se në vitin 2023, rreth 78% e popullsisë adulte zotëron një llogari bankare dhe kjo shifër mund të arrijë deri në masën 85% nëse përfshihen dhe llogaritë e pagesave të ofruara nga institucionet e parasë elektronike. Rritja e përfshirjes financiare është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të pagesave elektronike, deklaroi Guvernatori.