Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se nga data 1 janar 2025, Shqipëria pranon Certifikatat e Qarkullimit EUR-1 të lëshuara në mënyrë elektronike nga vendet pjesëmarrëse në Konventë pan-Euro-Mediterriane.
Ky njoftim i referohet:
Ligjit 59/2024 datë 6 qershor 2024 (Fletore Zyrtare nr.113 datë 4 korrik 2024) “Për miratimin e vendimit nr. 1/2023 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës për ndryshimin e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale pan-Euro-Mediteriane të Origjinës dhe të Rekomandimit nr. 1/2023 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale pan-Euro-Mediteriane të Origjinës”.
EUR.1 njihet si certifikata më e rëndësishme në tregtinë e jashtme në kuptimin ligjor.
Certifikata e origjinës EUR.1 është një dokument që vërteton origjinën preferenciale të mallrave me origjinë nga një palë kontraktuese si: vendet e BE-së, vendet CEFTA, vendet EFTA, Turqia, Mbretëria e Bashkuar që importohen në Shqipëri, apo eksportohen nga Shqipëria drejt këtyre vendeve me qëllim përfitimin e trajtimit preferencial.
Kjo certifikatë lëshohet nga autoritetet doganore pranë të cilës kryhen procedurat e eksportit, mbi bazën e aplikimit të bërë me shkrim nga eksportuesi, apo përfaqësuesi i tij zyrtar.













