E diplomuar në Mësuesi dhe Psikologji, Farida Ramadani (Zmijani) është drejtuese e lëvizjes “Gratë Frymojnë Vlera” prej nëntë vitesh, përmes së cilës ka promovuar 88 gra të suksesshme shkodrane.
Themeluese dhe organizatore e Festivalit Mbarëshqiptar të Poeteshave në Shkodër, të vetmit të këtij lloji në Shqipëri, që këtë vit zhvillon edicionin e pestë më 2 nëntor. Në këto festivale kanë marrë pjesë rreth 300 poetë nga mbarë trevat shqiptare.
Në edicionin e këtij viti janë dorëzuar 63 poezi, që dëshmon për vitalitetin e krijimtarisë poetike shqipe dhe për vlerësimin e lartë që ky festival gëzon tashmë në mjedisin kulturor mbarëkombëtar. Poezitë kanë ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Diaspora, duke e bërë këtë aktivitet një urë lidhëse të gjallë ndërmjet krijuesve shqiptarë kudo që ndodhen.

Festivali, i cili ka hyrë tashmë në traditën kulturore të vendit, synon të promovojë poezinë si vlerë estetike dhe shpirtërore, të nxisë bashkëpunimin ndërmjet krijuesve shqiptarë dhe të ruajë e zhvillojë gjuhën poetike shqipe në të gjitha trevat.
Farida Ramadani ka botuar gjashtë libra, ndër to “Shkodra në 12 yje”, një enciklopedi poetike me 5000 vargje, si dhe dy antologji poetike nga festivalet e para.
Ajo është përzgjedhur ndër 121 gratë e suksesshme në mbarë Shqipërinë.














