Një kafe në Dubai mund të kushtojë pothuajsë 1000 dollarë për një filxhan. Ajo përgatitet me kokrra panameze që kanë çmim rekord, dhe konsiderohet më e shtrenjta në botë.
“E dinim që Dubai ishte vendi i përkryer për këtë investim”, u shpreh Serkan Sagsoz, bashkëthemelues i kafenesë “Julith”, që ofron këtë kafe të rrallë.
“Ka nota të bardha lulesh si jasemini, shije agrumesh si portokalli dhe bergamot, si dhe nuanca kajsie e pjeshke”, shpjegoi Sagsoz, i cili më parë drejtonte një kafene në Turqi. “Është si mjaltë ,delikate dhe e ëmbël”.
Muajin e kaluar, Dubai kishte hyrë në “Librin Guinness” për kafenë më të shtrenjtë në botë, kur kafeneja “Roasters” ofroi një filxhan për 2 500 dirhamë.
Rekordi i ri ka habitur disa njerëz, megjithatë për banorët e qytetit të luksit kjo nuk është befasi.
Kafeneja “Julith” bleu kokrrat e saj të rralla në një ankand në Panama pas një gare të ashpër që zgjati me orë dhe mblodhi qindra oferta.
Sipas saj, 20 kilogramë kokrra u shitën për rreth 2.2 milionë dirhamë (rreth 600 000 dollarë) çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për kafe.
Blerës aziatikë, entuziastë arabë të kafesë dhe koleksionistë kokrrash kanë kërkuar të blejnë disa nga kokrrat “Nido 7 Geisha”, të cilat rriten në një plantacion pranë vullkanit “Baru” në Panama.
Por kafeneja ka deklaruar se nuk planifikon t’i ndajë këto kokrra të rralla, përveç një sasie të vogël të rezervuar për familjen në pushtet te Dubait.












