Në detin Jon, pranë Itakës, ndodhet një ishull i vogël që deri pak kohë më parë ishte thuajse i panjohur për shumicën e turistëve. Sot, Atokos po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, jo vetëm për ujërat e kristalta dhe natyrën e paprekur, por për disa banorë shumë të veçantë: derrat e zinj që lëvizin lirshëm nëpër ishull.
Kafshët janë kthyer në atraksionin kryesor të vendit. Ato shëtisin përgjatë plazheve, afrohen pranë varkave dhe, kur temperaturat rriten, futen në det për t’u freskuar. Pamjet e derrave duke notuar apo duke qëndruar pranë pushuesve janë përhapur me shpejtësi në Instagram dhe TikTok, duke e bërë ishullin të njohur shumë përtej Greqisë.
Për shumë turistë, vizita në Atokos nuk është më thjesht një ndalesë për të shijuar detin. Ata shkojnë atje me një qëllim të qartë: të shohin nga afër derrat që janë mësuar me praninë e njerëzve.
Disa prej tyre afrohen aq shumë sa turistët mund të notojnë pranë tyre ose t’i fotografojnë në breg. Në disa ekskursione, organizatorët përdorin fruta për t’i afruar kafshët pranë varkave, duke krijuar momente që më pas përfundojnë në rrjetet sociale.
Pikërisht kjo pamje e pazakontë i ka dhënë Atokosit edhe nofkën “Piggy Island”, ose “Ishulli i Derrave”.
Ishulli është privat dhe nuk ka infrastrukturën tipike të një destinacioni të madh turistik. Për të mbërritur atje, vizitorët përdorin kryesisht varka turistike, ndërsa ekskursione drejt Atokosit organizohen edhe nga Lefkada dhe Kefalonia.
Kërkesa për këto udhëtime është rritur, ndërsa për shumë pushues kombinimi i detit të pastër, natyrës së qetë dhe takimit krejt të papritur me derrat e zinj e ka kthyer Atokosin në një nga ndalesat më të veçanta të verës në Jon.
Një ishull i vogël, pak shtëpi, ujëra të kristalta dhe disa derra që shijojnë detin – një kombinim i pazakontë që po sjell gjithnjë e më shumë turistë në këtë cep të izoluar të Jonit.












