Bizneset që kryejnë shitje me para në dorë duhet të marrin masat për t’u pajisur me terminal POS/POI në çdo pikë shitjeje deri më 31 dhjetor 2026. Detyrimi është bërë publik nga Administrata Tatimore dhe vlen për tatimpaguesit që nuk përfshihen në kategoritë për të cilat janë përcaktuar afate të tjera.
Rregulli parashikohet në nenin 59/3 të ligjit për procedurat tatimore dhe synon të shtojë përdorimin e pagesave elektronike, duke reduktuar gradualisht përdorimin e parasë cash në transaksionet e përditshme.
Megjithatë, jo të gjitha bizneset janë të detyruara të pajisen me POS/POI. Nga ky detyrim përjashtohen tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në zona ku nuk ka mbulim interneti, si edhe ata që përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar faturë sipas legjislacionit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.
Përjashtim bëjnë gjithashtu tatimpaguesit që plotësojnë njëkohësisht disa kushte: nuk janë subjekt i TVSH-së, kanë përgjegjësi tatimore për tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi, nuk kanë më shumë se një vendndodhje ku ushtrojnë aktivitetin dhe kanë statusin e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Sipas Administratës Tatimore, përdorimi i terminaleve POS/POI pritet ta bëjë procesin e pagesës më të shpejtë dhe më të lehtë për klientët, ndërsa për bizneset sjell më shumë transparencë në transaksione. Në të njëjtën kohë, pagesat elektronike shihen si një mënyrë për të kufizuar përdorimin e cash-it dhe për të ndihmuar në formalizimin e ekonomisë.
Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve që janë subjekt i këtij detyrimi të mos e lënë procedurën për në fund dhe të marrin masat e nevojshme për sigurimin e terminaleve POS/POI brenda afatit të përcaktuar, më 31 dhjetor 2026.












