Apple ka nisur përgatitjet për prezantimin e iPhone Duo, pajisjes së re me ekran të palosshëm, duke u kërkuar zhvilluesve të aplikacioneve që të përshtatin produktet e tyre për formatin e ri. Kompania synon që aplikacionet dhe lojërat të jenë gati për të përfituar nga mundësitë që ofron pajisja që në fazat e para të daljes së saj në treg .
Në kuadër të këtyre përgatitjeve, Apple ka publikuar udhëzime dhe rekomandime për zhvilluesit, ndërsa ka vënë në dispozicion edhe versionin e ri të mjetit të zhvillimit Xcode 27.1. Përmes tij, krijuesit e aplikacioneve mund të përshtatin dhe të optimizojnë programet e tyre për iPhone Duo.Zhvilluesit tashmë mund t’i dorëzojnë aplikacionet dhe lojërat përmes platformës App Store Connect.
Aplikacionet që krijohen ose rikompilohen me Xcode 27.1 do të mund të identifikohen në App Store me një shenjë të veçantë, e cila do t’u tregojë përdoruesve se janë optimizuar për pajisjen e re.Një tjetër ndryshim lidhet me kërkesat që Apple do të vendosë për aplikacionet e reja. Duke filluar nga prilli i vitit 2027, çdo aplikacion i ri do të duhet të përfshijë një pamje të ekranit që tregon se si paraqitet aplikacioni në iPhone Duo. Përveç udhëzimeve teknike, kompania po organizon edhe punëtori të drejtpërdrejta për zhvilluesit, me qëllim që t’i ndihmojë ata të kuptojnë më mirë mënyrën se si duhet të përshtatin aplikacionet për ekranin e palosshëm.
iPhone Duo pritet të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në linjën e telefonave të Apple, pasi do të jetë modeli i parë iPhone me ekran të palosshëm. Për këtë arsye, përshtatja e aplikacioneve konsiderohet një nga elementet kryesore për të siguruar një përvojë sa më të mirë për përdoruesit. Me këto hapa, Apple po synon të përgatisë ekosistemin e saj të aplikacioneve për formatin e ri, në mënyrë që përdoruesit të kenë sa më shumë aplikacione të gatshme dhe të optimizuara kur pajisja të mbërrijë në treg.











