Kur flasim për ushqyerjen e shëndetshme, zakonisht përqendrohemi te ajo që vendosim në pjatë, te kaloritë dhe cilësia e ushqimeve. Por, sipas ekspertëve, një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë mund të luajë edhe një tjetër faktor që shpesh e neglizhojmë: ora kur konsumojmë vaktet.
Organizmi i njeriut funksionon sipas një ritmi biologjik 24-orësh, i cili ndikon në mënyrën se si përpunojmë ushqimin, kontrollojmë nivelin e sheqerit në gjak dhe rregullojmë hormonet që lidhen me urinë dhe ndjenjën e ngopjes. Për këtë arsye, ajo që hamë në mëngjes mund të përpunohet ndryshe nga i njëjti ushqim i konsumuar vonë në mbrëmje.
Dietologia Sophie Medlin shpjegon se shpërndarja e vakteve gjatë ditës mund të ndikojë në kontrollin e peshës dhe në funksionimin e metabolizmit. Studimet sugjerojnë se konsumimi i një pjese më të madhe të kalorive gjatë orëve të para të ditës dhe shmangia e vakteve të rënda në mbrëmje mund të jenë zakone të dobishme për organizmin.
Një studim i Universitetit të Harvardit, i publikuar në vitin 2022, tregoi se shtyrja e vakteve me rreth katër orë mund të ndikojë në hormonet që kontrollojnë urinë dhe ngopjen. Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht këto mekanizma.
Një tjetër zakon që meriton vëmendje është anashkalimi i mëngjesit. Kur vakti i parë i ditës shtyhet ose lihet krejtësisht jashtë, disa persona mund të përjetojnë uri më të madhe gjatë pjesës tjetër të ditës dhe të konsumojnë më shumë ushqim në orët e mbrëmjes.
Po aq i rëndësishëm është edhe orari i darkës. Ngrënia e vakteve të rënda pak para gjumit mund të rëndojë tretjen dhe të shkaktojë shqetësime si fryrje, refluks apo gjumë jo të qetë. Për këtë arsye, rekomandohet që darka të konsumohet rreth dy deri në tre orë para se të shkojmë për të fjetur.
Sipas këshillave të dietologëve, një organizim i përafërt i vakteve gjatë ditës mund të jetë ky:
- Mëngjesi: 07:00–09:00.
- Dreka: 12:00–14:00.
- Darka: 18:00–20:00.
Sigurisht, këto orare nuk janë rregulla të detyrueshme për të gjithë. Nevojat ushqimore ndryshojnë nga një person te tjetri dhe varen nga orari i punës, aktiviteti fizik, gjumi dhe mënyra e jetesës.
Në fund, ushqyerja e shëndetshme nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e produkteve të duhura, por edhe me krijimin e një rutine të rregullt. Të mos e shtyjmë vazhdimisht mëngjesin, të mos e lëmë gjithë ushqimin për në mbrëmje dhe t’i japim trupit kohë për të tretur darkën janë disa zakone të thjeshta që mund të bëjnë ndryshim në mirëqenien tonë të përditshme.











