Shumë njerëz përpiqen të kursejnë energji elektrike duke fikur dritat dhe duke kufizuar përdorimin e pajisjeve shtëpiake, por shpesh harrojnë një detaj të rëndësishëm: disa prej tyre vazhdojnë të konsumojnë energji edhe kur nuk janë në përdorim.
Ekspertët paralajmërojnë se televizorët, ngrohësit e ujit dhe mbushësit e telefonave mund të vazhdojnë të harxhojnë energji elektrike edhe kur mendojmë se janë të fikur.
Në rastin e televizorëve, shtypja e butonit në telekomandë nuk do të thotë gjithmonë se pajisja është shkëputur plotësisht nga energjia. Shpesh ajo kalon në modalitetin e gatishmërisë, duke vazhduar të konsumojë energji.
E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ngrohësit e ujit, të cilët në varësi të modelit përdorin energji për të ruajtur temperaturën. Ndërsa mbushësit e telefonave, edhe kur nuk kanë asnjë pajisje të lidhur, mund të konsumojnë një sasi të vogël energjie.
Edhe pse konsumi i secilës prej këtyre pajisjeve mund të duket i papërfillshëm, me kalimin e kohës ai mund të shtojë shpenzimet familjare.
Prandaj, një zakon i thjeshtë si heqja e mbushësve nga priza dhe shkëputja e pajisjeve kur nuk përdoren për periudha të gjata mund të ndihmojë në kursimin e energjisë dhe në uljen e faturave mujore.











