“Ëndrra ime me sy hapur është që Shqipëria të bëhet kampione e Ballkanit, kampione në turizëm, agroturizëm, në energji, bujqësi e shërbime cilësore të shpejta e të pakorruptueshme digitale për çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi. Me 4 porta nga qielli e 4 nga deti për udhëtarë e turistë, me dy porta të reja detare për tregtinë në Durrës e Vlorë. Me korridorin blu të shpejtësisë së lartë nga Muriqani në Milot, Rrogozhinë, Fier e Vlorë. Me dy parqet me energji diellorë në Divjakë, e Durrës, Skavicën në Veri e Tecin me gaz të lëngshëm në Vlorë, Shqipëria në 5 – 6 vitet e ardhshme mund të hapë me një fuqi të papërmbajtshme portat e të ardhmes së saj. Ky është një projekt megakombëtar që kërkon energji të madhe njerëzore e politike. Patjetër që mandati i tretë është mandat më i fortë që një shumicë ka pasur ndonjëherë që prej 1992 dhe ne do ta realizojmë këtë megaprojekt me energji të jashtëzakonshme që shumica dërrmuese e zgjedhësve sapo na e ka dhënë.”
Ky ishte fjalimi që mbajti Kryeministri Edi Rama para mbështetësve të tij, pasditen e 27 prillit në sheshin “Skënderbej”, ku festoi fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Partia Socialiste pas kësaj fitoreje u bë partia e parë në Shqipëri që prej 1992 që merr mandatin e tretë të qeverisjes./ProBizz.al/