Profesione të tilla si agronom, inxhinier pyjesh, zooteknik apo specilistë për mbrojtjen e bimëve po shkojnë drejt zhdukjes!
Alarmi ngrihet nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, i cili thotë se janë tetë programe studimi që rrezikojnë të mbyllen pasi ka rënë ndjeshem numri i maturantëve që i zgjedhin si programe studimi.
Për portalin probizz.al Sallaku bën apel për ndërhyrje nga qeveria për të gjetur zgjidhje pasi degët që rrezikojnë mbyllje janë me prioritet kombëtar.
Mungesa e interesimit të të rinjve për këto degë do të bëjë që në të ardhmen të kemi vakum në treg të specialistëve dhe burimeve njerëzore në fushën e bujqësisë dhe ky është një problem serioz sipas rektorit të Universitetit Bujqësor.
Si pengesë për disa të rinj që duan të ndjekin këto degë mbetet edhe nota mesatare e vendosur nga qeveria si kritet për pranimin në universitete.
Për vitin akademik 2021-2022 nota mesatare pritet të jetë 7, por ky kriter sipas drejtuesve të universiteteve cilësohet si penalizues për shumë degë.
UBT përbëhet aktualisht nga pesë Fakultete: Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Fakultetiti Shkencave Pyjore, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit dhe Fakulteti i Mjekësisë Veterinare.
UBT ofron sot 74 programe studimi si më poshtë:
- 21 programe studimi të ciklit të parë (Bachelor),
- 38 programe të ciklit të dytë (18 Master i Shkencave dhe 20 Master Profesional),
- 3 programe profesionale,
- 12 programe në ciklin e tretë (Doktoraturë).