Njerëzit e famshëm shpesh flasin për impaktin që po krijojnë rrjetet sociale tek përdoruesit dhe sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë.
Aktorja e njohur Gal Gadot në një intervistë të fundit ka thënë se rrjetet sociale po krijojnë realitete të rreme.
“Gjithmonë u them fëmijëve të mi se për mua, të rritesha ishte shumë më e lehtë se për ta sot. Ata po rriten mes gjithë këtyre filtrave dhe postimeve të kuruara. Ata besojnë se është e vërtetë, pa e kuptuar që çdo gjë është filtruar plotësisht. U them: ‘Çfarëdo që shihni online, nuk është e vërtetë’”, është shprehur 39 vjecarja e cila është nënë e katër vajzave.
Sipas saj bota po bëhet shumë e varur nga platformat si Instagram dhe Tik Tok dhe për pasojë të rinjtë humbin vetëbesimin dhe perceptimin për realitetin.
“Në shtëpinë time ka të qeshura, zënka, lot, shumë emocione. Po, është shumë, por mundohem të bëj më të mirën. Kemi ndihmë dhe bashkëshorti im bën një punë fantastike si baba. Nuk fle shumë”, ka treguar aktorja ndërsa ka pranuar se nuk është e lehtë të balancohet karriera e suksesshme me jetën familjare.












