Amazon prezantoi një version të përmirësuar të robotit të saj mobil të fuqizuar nga inteligjenca artificiale, i cili mund t’u përgjigjet komandave të dhëna në gjuhë të zakonshme njerëzore. Ky zhvillim vjen në kuadër të një investimi prej 10 miliardë eurosh (11.6 miliardë dollarë) në rrjetin evropian të qendrave të përmbushjes së porosive.
Gjiganti amerikan i tregtisë elektronike prezantoi robotin e gjeneratës së re Proteus gjatë eventit “Delivering the Future”, të mbajtur në qendrën logjistike të kompanisë në Dartford, në lindje të Londrës. Synimi i teknologjisë së re është përshpejtimi i proceseve dhe i dërgesave për klientët.
Roboti i ri merr vetë vendime për detyrat
Versioni i ri i Proteus, i cili pritet të nisë përdorimin në Evropë gjatë gjysmës së parë të vitit 2027, do të mund të lëvizë në të gjithë sipërfaqen e magazinave dhe përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si punonjësit ndërveprojnë me robotët.
“Ju thjesht i tregoni se çfarë duhet të bëhet. Ai përcakton vetë prioritetet, rrugën dhe kohën e nevojshme për kryerjen e detyrës”, deklaroi Scott Dresser, zv/president i Amazon Robotics.
Kompania prezantoi gjithashtu STARK, një sistem robotik për menaxhimin e kontejnerëve të magazinimit, i cili u testua fillimisht në Barcelonë dhe pritet të instalohet në 15 qendra evropiane deri në vitin 2027.
Një tjetër risi ishte edhe Vulcan, roboti i parë i Amazon që është i pajisur me një “ndjenjë prekjeje”, duke i mundësuar të trajtojë objektet me më shumë saktësi.
Amazon zgjeron rrjetin e shpërndarjes së shpejtë dhe shërbimet ushqimore
Amazon njoftoi se gjatë këtij viti do të hapë më shumë se 25 qendra të reja për dërgesa ultra të shpejta në Evropë, përfshirë në Britani dhe Gjermani.
Shërbimi Amazon Now, që ofron dërgimin e produkteve bazë brenda pak orësh, do të zgjerohet në qytetet Manchester dhe Birmingham në Britani.
Kompania bëri të ditur gjithashtu se shërbimi i dorëzimit të produkteve ushqimore brenda të njëjtës ditë është tashmë i disponueshëm në mbi 2,300 qytete të SHBA-së dhe në disa zona të Tokios. Zgjerime të reja janë planifikuar në Japoni, Britani dhe vende të tjera gjatë muajve në vijim.
Ndërkohë, Alexa+, asistenti i ri i Amazon i bazuar në inteligjencën artificiale, pritet të lançohet në 10 vende të tjera gjatë vitit 2027.
Në muajin shkurt, Amazon parashikoi një rritje prej më shumë se 50% të shpenzimeve kapitale për këtë vit, duke i çuar ato në rreth 200 miliardë dollarë. Investimi masiv vjen në një periudhë kur kompanitë më të mëdha teknologjike po shtojnë ndjeshëm shpenzimet për ndërtimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale.












