Në hartën e futbollit gjysmë-profesional në Angli, një emër shqiptar po bëhet gjithnjë e më i dukshëm: Eagles Land FC. I themeluar në 2019 nga Admir Lala, me një pasion për futbollin dhe dëshirën për të kontribuar në komunitetin shqiptar, ky klub shënon një histori suksesi dhe uniteti për gjashtë vite.

Sot, Eagles Land FC nuk është thjesht një klub futbolli. Ai është krenaria e një komuniteti, një simbol i bashkimit shqiptar. Nga Kukësi në Prishtinë dhe Tiranë, presidenti, menaxheri dhe madje edhe kuzhinieri e klubit përfaqësojnë një kombinim të bukur etnik.
Rezultatet e fushës flasin shumë qartë:
Kryesojnë tabelën e kampionatit aktual.
Kanë arritur në çerekfinalen e Kupës Rajonale të Anglisë
Një titull kampionati do t’iu garantonte atyre një vend në Kupën e Anglisë (FA Cup) për vitin e ardhshëm – një ëndërr për çdo klub në Angli.
Këto arritje nuk janë fryti i investimeve të mëdha, por i punës vullnetare, përkushtimit dhe dashurisë për futbollin dhe për atdheun. Megjithë sukseset, klubi thekson se, në krahasim me ekipet kundërshtare me më shumë burime, ata kanë ende nevojë për mbështetje dhe bashkëpunim më të gjerë nga bizneset dhe mediat shqiptare
Përtej fushës, Eagles Land FC po investon në të ardhmen. Në një bashkëpunim të veçantë me Shkollën Shqipe “Ardhmëria”, klubi do të ofrojë trajnime falas për çdo nxënës, duke ndihmuar brezat e rinj jo vetëm të afrohen me sportin, por edhe të mësojnë vlera të çmuara të bashkëpunimit dhe ekipit.
Një rol kyç në rritjen e profilit të klubit e ka luajtur Daniel Nikolla dhe kompania e tij, Max Marketing. Në mënyrë vullnetare, ata kanë ndihmuar në tërheqjen e tre sponsorëve të rinj këtë vit, në prezantimin e lojtarëve dhe në mobilizimin e tifozërive përmes rrjeteve sociale. Një nga arritjet e tyre më të dukshme është ndërtimi i faqes së re zyrtare të klubit, duke e çuar zërin e Eagles Land FC në të gjithë botën shqiptare dhe më gjerë.

Eagles Land FC është më shumë se një klub; është një shembull i gjallë i asaj që shqiptarët mund të arrijnë kur bashkohen për një qëllim të përbashkët. Ata po tregojnë me vepra se emigrantët shqiptarë në Angli janë të aftë të ndërtojnë projekte të qëndrueshme dhe me ndikim pozitiv.
Tani, më shumë se kurrë, klubi ka nevojë për një përkrahje të gjerë për të vazhduar këtë udhëtim të suksesshëm dhe për ta çuar emrin shqiptar edhe më lart në skenën angleze.
Eagles Land FC – Ku Shqiptarët Bashkohen për të Shkëlqyer!
Website:https://www.eagleslandfc.co.uk/
Social Media: https://www.instagram.com/eagleslandfc/















