Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) ka çelur edicionin e dytë të ekspozitës “Gratë e Tiranës”, organizuar në kuadër të fushatës 16-ditore për ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj grave.
Kjo ekspozitë sjell histori të pathëna, duke i udhëhequr vizitorët në një rrugëtim estetik që i fton të reflektojnë mbi rolin e gruas në jetën kulturore dhe shoqërore të qytetit. Ajo nxjerr në pah forcën, qëndrueshmërinë dhe mënyrën se si gratë përballen me përditshmërinë përmes gjuhës së artit.

Nën kujdesin e Silda Anagnostit dhe kurimin artistik të Migena Ajazit, ekspozita u realizua në bashkëpunim me COD.
Në këtë edicion morën pjesë 30 artiste, të cilat komunikuan mesazhet e tyre me fuqinë dhe finesën e artit.

















