Administrata Tatimore ka publikuar afatet që duhet të respektojnë subjektet përfituese nga ligji i faljes dhe shuarjes së detyrimeve tatimore dhe doganore, si edhe nga programi i paqes fiskale.
Sipas njoftimit zyrtar, më 10 qershor 2026 nis pagesa e detyrimeve tatimore për subjektet që synojnë të përfitojnë nga ligji i faljes.
Data 30 qershor 2026 është afati i fundit për:
- pagesën njëherësh të 50% të detyrimit principal, me qëllim përfitimin e “fshirjes” së 50% të mbetur për detyrimet tatimore të periudhës 2015–2019;
- dorëzimin e deklaratave të padorëzuara për periudhën deri më 31 dhjetor 2024, për të përfituar faljen e gjobave për deklarim të vonuar.
Ndërkohë, 30 nëntor 2026 është afati i fundit për paraqitjen pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të aktit të heqjes dorë nga ankimi.
Sakaq, më 31 dhjetor 2026 përfundon afati për:
- pagesën e 75% të detyrimit principal, për të përfituar fshirjen e 25% të mbetur për detyrimet tatimore të viteve 2015–2019;
- pagesën e 100% të principalit për detyrimet tatimore të periudhës 2020–2024, me qëllim përfitimin e faljes së gjobave dhe kamatëvonesave.
Për sa i përket “paqes fiskale”, Administrata Tatimore bën me dije se aplikimet në sistemin “e-Filing” për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026 kanë nisur më 15 maj 2026.
Afati për aplikim në sistem përfundon më 5 qershor 2026.
Ndërsa data 15 qershor 2026 është afati i fundit për subjektet që kanë aplikuar ditën e fundit, për të ngarkuar në sistemin “e-Filing” marrëveshjen e nënshkruar.
Po ashtu, më 30 qershor 2026 përfundon afati për tatimpaguesit që kanë deklaruar se do të kryejnë rideklarimin e pasqyrave financiare. Brenda kësaj date ata duhet:
- të kryejnë pagesën e tatimit për çdo vit tatimor për të cilin është ndryshuar deklarata;
- të dorëzojnë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore formularin për rideklarimin e elementëve të veçantë të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve;
- të ngarkojnë në “e-Filing” pasqyrat financiare të rideklaruara;
- të paraqesin sqarimet përkatëse për çdo ndryshim të kryer në pasqyrat financiare.
Administrata Tatimore thekson se rezervon të drejtën për të kërkuar informacion shtesë nga subjektet përkatëse.












