Nën kujdesin e veçantë të z. Muharrem Salihu, Kryetar i Forumit Shqiptar për Zhvillimin Ekonomik në Serbi, njëkohësisht dhe anëtar i Bordit Drejtues, Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar zhvilloi një vizitë në Komunën e Medvegjës.
Gjatë kësaj vizite, u mundësua prezantimi i katër projekteve për implementim në Medvegjë dhe një projekt në Ulqin. Synimi i FEMSH është të investojë në ato projekte ku ka impakt social në familjet që jetojnë në Medvegjë si dhe krijon vende pune në mënyrë që t’u ofrohet mundësia të rinjve të mos largohen nga vendlindja. Rëndësia e investimit në këtë vend e tejkalon vlerën ekonomike por shihet si shpresë e dhënë banorëve të Medvegjës për të qëndruar dhe punuar në vendin e tyre.
Mbas vizitës në fabrikën e z. Salihu “Medinvest” në Medvegjë, FEMSH u njoh dhe me Banjën e Siarinës, e cila është e bekuar me një klimë të përshtatshme dhe ka 18 burime të ujit mineral me përbërje të ndryshme fiziko-kimike dhe temperature nga 32-72 gradë Celsius.
Ky takim u përmbyll me organizimin e mbledhjes së rradhës së Bordit Drejtues të Forumit ku vazhdoi diskutimi mbi projektet e paraqitura si dhe mbi mundësitë reale në implementimin e tyre. Në këtë mbledhje të Forumit pati dhe një konsolidim të anëtarëve të Bordit Drejtues nga Kosova me personalitete dhe sipërmarrës të suksesshëm si z. Besim Beqaj, z. Visar Ramajli dhe z. Skënder Krasniqi.