Gjatë katër muajve të parë të vitit, shqiptarët kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për të siguruar pronat, jetën apo shëndetin.
Totali i arkëtimeve të kompanive për periudhën janar prill ka shkuar në rreth 65 milionë euro, me një rritje të fortë krahasuar me vitet e mëparsëshme.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, arkëtimet nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-prill 2023 kapën vlerën 6,8 miliardë lekë, ose 16.75% më shumë se në janar-prill 2022.
Gjatë muajit janar-prill 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 384,225 me një rritje prej 14.31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.67% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 8.31% dhe risigurimi 0.021%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.69% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.31% të totalit të tregut.
Ndërkohë që rënie kanë shënuar dëmet e paguara nga kompanitë. Gjatë muajit janar-prill 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,1 miliardë lekë, ose 3.26% më pak se në janar-prill 2022, kryesisht ndikuar nga efektet e dëmeve në sigurimin e pronës.
Ndërkohë që dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për muajin janar-prill 2023 kapën vlerën 1,533 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 9.83% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Burimi: Scan