Probizz.al në intervistën e radhës ka përzgjedhur një vajzë guximtare e cila falë pasionit dhe eksperiencës së saj krijon përvoja unike për këdo nëpërmjet agjensisë Retreat Travel. Laura Ferati që prej fillimit vulosi suksesin e agjensisë së saj pasi kishte baza të forta, intuitë të veçantë në sipërmarrje dhe çdo udhëtim e përjeton si të sajin.

Probizz.al: Si erdhi vendimi për të ngritur agjencinë tuaj të udhëtimit?
Laura Ferati: Në shumë raste, idetë lindin nga nevoja. Unë kam qenë një udhëtare aktive për vite me radhë dhe gjithmonë i kam organizuar vetë udhëtimet e mia. Me kalimin e kohës, kuptova gjithnjë e më qartë se tregut i mungonte një konsulencë e mirëfilltë udhëtimi, jo thjesht një vend ku prenoton bileta apo hotele.
Mungonte një kompani që të asistonte udhëtarin në çdo etapë: nga ndërtimi i itinerareve të detajuara, rezervimi i eksperiencave unike, deri te përshtatja e destinacionit sipas kërkesave dhe buxhetit personal. Kjo ide nisi të marrë formë si një plan biznesi, i ndërtuar mbi përvojën time shumëvjeçare, kontaktet ndërkombëtare dhe investimin e vazhdueshëm tek vetja.
E gjithë kjo e bëri vizionin gjithnjë e më të qartë dhe, për fat të mirë, u prit me një qasje shumë pozitive nga tregu që në fillimet e saj.

Probizz.al: Çfarë mendoni se ka ndikuar në suksesin e biznesit tuaj: disiplina, pasioni për udhëtimet, guximi apo qëndrueshmëria përballë sfidave?
Laura Ferati: Në fillimet e Retreat Travel Group shpesh dëgjoja komente si: “Sa mirë po ecni në kaq pak kohë!” dhe gjithmonë buzëqeshja. Sepse, edhe pse Retreat Travel është vetëm 1 vit e gjysmë në treg, pas tij jam unë me 18 vite eksperiencë, sipërmarrje, sfida dhe mbi 45 shtete të vizituara.
Ky sukses është rezultat i një disipline që është kalitur çdo ditë, një pasioni të jashtëzakonshëm për udhëtimet dhe një përkushtimi total ndaj kësaj fushe. Turizmi është një botë më vete nëse nuk e bën me pasion, kthehet shpejt në rutinë. Por në momentin që e jeton udhëtimin e çdo klienti sikur të ishte i yti, suksesi vjen natyrshëm.
Probizz.al: Në një treg me shumë agjenci udhëtimi, ku e bën diferencën Retreat Travel?
Laura Ferati: Përpara se të hapja agjencinë time, as nuk e dija sa shumë agjenci kishte në treg sepse gjithmonë i organizoja vetë udhëtimet e mia. Kur hyra në këtë fushë profesionalisht, kuptova se kisha gabuar: agjencitë jo vetëm që të kursejnë kohë, por në shumicën e rasteve ofrojnë çmime të njëjta ose më të mira se platformat online.
Kur hyra në treg, nuk u fokusova te konkurrenca, por te ajo që mendoja se i mungonte tregut: shërbim i personalizuar dhe konsulencë e bazuar në eksperiencë reale dhe profesionalizëm.
Jam inxhiniere mjedisi me formim të dytë në menaxhim turizmi, dhe çdo arritje e Retreat Travel nuk është rastësi apo fat i momentit, por rezultat i një vizioni të ndërtuar në heshtje për shumë vite, që një ditë vendosa ta bëj realitet.

Probizz:al: Cili është destinacioni më i kërkuar për vitin 2026?
Laura Ferati : Me humor themi shpesh që jemi bërë “stafi i ambasadës japoneze”, sepse Japonia është destinacioni ynë më i shitur. Por në fakt, klientët tanë kërkojnë pikërisht ato destinacione që shpesh mezi gjenden në hartë.
Shqiptarët sot nuk e konsiderojnë më Evropën si udhëtimin e vitit ata kërkojnë kontinente të largëta dhe kultura unike. Lista jonë kryesohet nga Japonia, India, Afrika, Brazili dhe Filipinet, por realisht nuk ka kontinent që nuk e kemi eksploruar me udhëtarët tanë.
Jam thellësisht mirënjohëse për besimin që më japin çdo ditë, duke më besuar disa nga eksperiencat më të bukura të jetës së tyre.

Rreth Laura Ferati, Themeluese Retreat Travel
Ka përfunduar studimet pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit për Mjedis dhe më pas ka vazhduar studimet në Menaxhim Turizmi pranë Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Sipërmarrja e saj e parë ka nisur në moshën 21-vjeçare me mbështetjen e familjes, ndërsa në moshën 26-vjeçare hapi studion dhe laboratorin e mjedisit, me fokus profesionin tim si inxhiniere.
Me kalimin e kohës kuptoi, ndonëse këto i ofronin stabilitet dhe mundësi për të udhëtuar, nuk i jepnin emocionin, motivimin dhe adrenalinën e përditshme. Pas lindjes së djalit, nisi një proces riformatimi personal, duke vendosur të përqafojë pasionet e saj dhe t’u jap vlerën që meritojnë. Ky vendim u kthye nga një ide në një biznes në ndërtim, me një qasje ndryshe dhe autentike në fushën e turizmit.













