Instituti Shqiptar-Evropian dhe Oda Ekonomike Shqiptare kanë ndërmarrë një nismë qytetare që synon mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve, për t’i drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës një kërkesë lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Përmes kësaj nisme, organizatorët kërkojnë që Kuvendi të shqyrtojë inicimin e procedurës për shpalljen e një referendumi. Sipas tyre, kërkesa mbështetet në nenin 65, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në legjislacionin në fuqi.
Pyetja e propozuar për referendum është: “A jeni për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës?”
Sipas shënimit juridik që shoqëron formularin, mbledhja e 10 mijë nënshkrimeve shërben si mbështetje qytetare për paraqitjen e kësaj kërkese. Ajo nuk e zëvendëson vendimmarrjen zyrtare të Kuvendit për shpalljen e referendumit.
Organizatorët kanë përgatitur formularët për mbledhjen e nënshkrimeve, në të cilët qytetarët mund të shprehin mbështetjen e tyre duke plotësuar të dhënat e kërkuara dhe duke vendosur nënshkrimin përkatës











