Në një botë të shpejtë ku ankthi dhe depresioni janë bërë pandemi, terapia shërben si hapësirë e sigurt ku çdo zë i pashprehur gjen dëgjim. Për psikoterapisten Arilda Dushaj, psikologjia nuk ishte thjesht një karrierë – ishte një thirrje për të ndihmuar njerëzit të gjejnë gjuhën e humbur të vetvetes. Nga analiza e grupit deri te sfidat e epokës digitale, ky është rrëfimi i një profesionisteje që beson se çdo histori meriton të dëgjohet, dhe çdo shpirt ka fuqinë të shërohet.”
Pse zgjodhët të investonit në psikologjinë klinike për profesionin tuaj të së ardhmes? A e kishit ndjesi që në fillimet e shkollimit apo ishin rrethana të tjera që e përcaktuan?
Rrugën drejt psikologjisë nuk e kam nisur si një zgjedhje e qartë, por më shumë si një rastësi e mbështjellë me mjegullën e pasigurisë rinore. Në atë kohë, nuk dija saktësisht çfarë doja të bëhesha, por një pjesë e brendshme më shtynte drejt dijes që merret me njeriun – me atë çfarë nuk shihet, por që peshon më shumë se çdo gjë tjetër: mendjen, ndjenjat dhe përjetimet. Gjatë studimeve master, nisa të krijoj një kuptim më të thellë të profesionit tim. Përvoja personale në terapi më mësoi se të bëhesh psikolog nuk është vetëm një profesion, por një zgjedhje e përditshme për të dëgjuar me zemër, për të qenë i pranishëm dhe për të mos humbur ndjeshmërinë ndaj gjërave njerëzore. Sepse çdo njeri ka historinë e vet, dhe çdo histori meriton të dëgjohet.
Në një kohë kur problemet e shëndetit mendor janë kthyer në një pandemi globale, si do ta shpjegonit terapinë si proces atyre që mund të jenë të interesuar?
Terapia është një formë e kujdesit njerëzor në thellësinë e tij më të pastër – është të dëgjosh pa gjykuar, të jesh i pranishëm në dhimbjen e tjetrit dhe të ndihmosh për të krijuar një pasqyrë të qartë në konfuzionin e mendimeve. Në një botë ku jemi të mbytur nga zhurma, kërkohet shumë guxim për të ndalur dhe për të dëgjuar zërin e brendshëm. Terapia është dialog, jo vetëm me psikologun, por edhe me pjesët tona të mohuara, të harruara apo të frikshme. Ajo nuk është thjesht një përgjigje ndaj dhimbjes, por një formë rezistence ndaj zbrazëtisë që ndonjëherë na vjen si trashëgimi. Me fjalë të tjera, terapia është një hapësirë fizike dhe kohore ku ti shprehesh, dëgjohesh, ndjen dhe kuptohesh në një ambient të sigurt të kushtuar vetëm ty.
Sa e rëndësishme është për një individ që vuan nga ankthi apo depresioni të marrë pjesë në terapi me psikolog?
Pjesëmarrja në terapi nuk është vetëm një akt i kërkimit të ndihmës – është një akt guximi dhe një dëshmi e dëshirës për ndryshim. Ankthi dhe depresioni shpesh bëhen zëra të brendshëm që na paralizojnë, por brenda terapisë individi fillon të gjejë një gjuhë të re për veten. Terapia ofron një pasqyrë të qartë kur gjithçka tjetër është turbulluar, pasi shërben si një proces transformimi që nis me një takim dhe vazhdon me ndërtimin e besimit dhe ndjenjës së mbështetjes. Në fund, detyra e terapistit është të bëjë gjithçka që ka në dorë, jo vetëm për të nxitur vetë-kuptimin, por edhe për të inkurajuar eksplorimin e asaj që artikulohet dhe asaj që nënkuptohet.
A janë metodat terapeutike zgjidhja për të tejkaluar problemet që mund të ketë individi, apo varet edhe nga vullneti që tregon ai vetë?
Metodat terapeutike janë mjetet, por vullneti i individit është energjia që i vë në lëvizje. Marrëdhënia terapeutike është një bashkëpunim, një udhëtim i përbashkët. Ajo nuk është një zgjidhje magjike brenda një seance apo takimi, por një proces i gjatë që ndërtohet me durim, përkushtim dhe, mbi të gjitha, me dëshirën për të ndryshuar. Vetëm kur individi ndjen se ka nevojë për ndihmë dhe është i gatshëm të pranojë mbështetje, terapia fillon të japë frytet e saj.
Si ka ndikuar teknologjia në shëndetin mendor të njerëzve? Çfarë këshillash u jepni atyre që kanë krijuar varësi nga rrjetet sociale?
Teknologjia sjell lehtësi, mundësi dhe lidhje, por edhe një lloj izolimi të fshehtë. Rrjetet sociale na japin iluzionin e afërsisë, por në fakt shpesh thellojnë ndjenjën e zbrazëtisë. Varësia nga to kthehet në një thirrje për vëmendje, një përpjekje për të plotësuar një boshllëk të brendshëm përmes klikimeve dhe pëlqimeve, apo për të marrë miratimin e të tjerëve nëpërmjet fasadave që u tregojmë. Edhe unë vetë e kam ndjerë ndonjëherë tërheqjen që vjen nga rrjetet sociale, sepse është e lehtë të humbësh në botën e tyre, sidomos kur je i lodhur dhe ndihesh bosh. Por ajo që kam kuptuar me kalimin e kohës është se shpesh kjo varësi vjen nga një nevojë shumë më e thellë për lidhje, për përkatësi, për vëmendje. Këshilla ime është të rikrijojmë lidhjen me jetën reale – me trupin tonë, me natyrën dhe me njerëzit përreth. Dhe më e rëndësishmja, me vetveten.
Jeni të kualifikuar si analiste e grupit, trajnim i akredituar nga Instituti i Analizës së Grupit në Mbretërinë e Bashkuar. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju?
Ky trajnim ka qenë një nga vendimet më të guximshme, si nga aspekti profesional ashtu edhe nga ai personal. Rrugëtimi i analizës së grupit më mësoi se forca transformuese e grupit qëndron në aftësinë për të pasqyruar veten te të tjerët dhe për të përjetuar në mënyrë kolektive gjëra që shpesh duken të papërballueshme në vetmi. Ishte një rrugëtim i gjatë, i vështirë, me shumë fitime dhe humbje personale, por i pasur me njohuri të reja, qartësi emocionale dhe ndjeshmëri të thelluar ndaj dinamikave të individit në raport me të tjerët.

Rreth Arilda Dushaj
Arilda Dushaj ka përfunduar studimet universitare në Psikologji Klinike pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, dhe është kualifikuar si Psikoterapiste e Grupit, me trajnim të akredituar nga Instituti i Analizës së Grupit në Mbretërinë e Bashkuar.
Me përvojë të gjatë akademike dhe profesionale në fushën e shëndetit mendor, Arilda ofron terapi individuale, terapi grupi dhe terapi për çifte, si në praktikën e saj klinike ashtu edhe online.
Gjatë periudhës 2021–2025, ajo ka kontribuar si kërkuese shkencore në projekte të financuara nga Bashkimi Europian, të fokusuara në shëndetin mendor, duke përfshirë studime klinike të randomizuara (cRCT) dhe ndërhyrje të bazuara në komunitet, si ImplementALL, MENTUPP, MENTBEST dhe PROSPERH. Fokusi i saj në kërkime shkencore përfshin një gamë të gjerë temash, duke përfshirë ndërhyrjet dixhitale për shëndetin mendor, përmirësimin e shëndetit mendor në vendin e punës, reduktimin e stigmës dhe efektivitetin e terapive online.
Arilda ka qenë bashkëautore e disa publikimeve në revista shkencore, duke dhënë kontribute të rëndësishme në fushën e psikologjisë. Gjithashtu, ajo punon si konsulente e pavarur, duke ofruar këshillim dhe mbështetje psikosociale për adoleshentë dhe të rritur në projekte të ndryshme në Shqipëri. Përkushtimi i saj për përparimin e shëndetit mendor përmes një qasjeje të integruar – që përfshin hulumtimin, praktikën klinike dhe angazhimin në komunitet – vërteton përkushtimin e saj ndaj kësaj fushe.











