Modernizimi i sistemeve të pagesave në Shqipëri mund të sjellë kursime deri në 38.7 miliardë lekë në vit, ose rreth 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa kalimi i gjysmës së pagesave të faturave nga cash-i te pagesat elektronike do t’u kursente konsumatorëve dhe bizneseve rreth 1.5 miliardë lekë në vit.
Shifrat u bëjnë publike nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, gjatë Konferencës së 10-të të Bankave Qendrore të Mesdheut, zhvilluar më 2 tetor në Tarragona të Spanjës. Konferenca kishte në fokus monedhat digjitale, pagesat dhe menaxhimin e rezervave, si dhe ndikimin e transformimit teknologjik dhe zhvillimeve gjeopolitike mbi sistemin monetar dhe financiar.
Zaçaj drejtoi sesionin mbi pagesat dhe remitancat, ku u diskutua rëndësia e transfertave të emigrantëve për ekonomitë mesdhetare, kostot e tyre dhe nevoja për të nxitur përdorimin e kanaleve formale financiare.
Sipas Zaçajt, zhvillimet teknologjike dhe modernizimi i sistemeve të pagesave po ndryshojnë mënyrën se si paratë lëvizin përtej kufijve. Për Shqipërinë, kjo ka rëndësi të veçantë për shkak të peshës që remitancat kanë në të ardhurat e familjeve.
SEPA dhe TIPS Clone
Banka e Shqipërisë e lidh modernizimin e infrastrukturës së pagesave me rritjen e përfshirjes financiare dhe integrimin e vendit në sistemin evropian të pagesave.
Në këtë kuadër, Zaçaj veçoi anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, i cili, sipas saj, krijon mundësi për uljen e kostove dhe kohës së transfertave, rritjen e përdorimit të kanaleve digjitale dhe formale të pagesave dhe nxitjen e emigrantëve për të përdorur sistemin financiar formal për dërgimin e remitancave.
Një tjetër hap është projekti TIPS Clone, që synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesa të shpejta, në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, në përputhje me standardet evropiane.
Sipas Zaçajt, kjo infrastrukturë pritet të krijojë edhe kushte më të mira për zhvillimin e pagesave të shpejta ndërkufitare.
Përfitimet ekonomike mund të jenë të konsiderueshme. Duke iu referuar një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, Zaçaj tha se përdorimi më i gjerë i pagesave elektronike, i mbështetur nga infrastruktura e pagesave të menjëhershme, mund të gjenerojë deri në 38.7 miliardë lekë kursime në vit, ekuivalente me rreth 1.5% të PBB-së.
Ndërsa, nëse gjysma e pagesave të faturave që kryhen aktualisht me para në dorë do të zëvendësohej me pagesa elektronike, kursimet do të ishin mbi 500 milionë lekë në vit për konsumatorët dhe rreth 1 miliard lekë për bizneset.
Bankat qendrore përballë transformimit digjital
Konferenca e Bankave Qendrore të Mesdheut mblodhi drejtues të bankave qendrore nga 13 vende, mes tyre Shqipëria, Spanja, Franca, Greqia, Kroacia, Portugalia, Maroku dhe Mali i Zi, së bashku me studiues dhe ekspertë të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Diskutimet u përqendruan te ndryshimet që po pësojnë sistemet monetare dhe financiare përballë transformimit teknologjik dhe rritjes së pasigurive gjeopolitike.
Në rastin e Shqipërisë, Banka e Shqipërisë e sheh dixhitalizimin e pagesave jo vetëm si një çështje teknologjike, por edhe si instrument për uljen e kostove të transaksioneve, formalizimin e ekonomisë dhe zgjerimin e përfshirjes financiare.
Zaçaj theksoi se modernizimi i infrastrukturës duhet të shoqërohet me rritjen e edukimit financiar, në mënyrë që kanalet formale financiare të bëhen alternativa më të përdorshme për konsumatorët dhe emigrantët.
Banka e Shqipërisë











